Thursday, July 17, 2008

DIVA

Ka shprese…!


Fahredin SHEHU

Para një muaji e botova një shkrim në gjuhën angleze për lexuesit Evropian. Shkrimi me titull “Tales from Ahtisaria” ose Rrëfimet nga Ahtisaria; janë shpalosur disa nga manifestimet e mrekullive të shtetit më të ri në botë, pra për Kosovën, ato fenomene ishin vetëm disa sespe nuk e duronte hapsira e shkrimit që të shkohet më tej prandaj është ndarë në disa pjesë dhe është botuar vetëm pjesa e parë.

Jemi dëshmitarë të ndodhive, progresit dhe të ligave dhe asnjëra nuk na befasoi, u befasua vetëm Albin Kurti. Mesiguri se do ta ngrisim zërin vetëm në varr njëlloj si tek poezia e Khalil Gibranit ”…I mjerë është ai popull i cili nuk i thurr petkat që i veshë, I mjerë është ai popull i cili nuk e shtrydh mushtin për verën që e pi, I mjerë është ai popull i cili nuk e ngrit zërin pos në varreza…”

Edhe ky shkrim është them lirisht një pjesë e mrekullueshme që na jep shpresë, sepse me krijimin e Kosovës apo Landit Ahtisaria (për t’u dalluar nga Shqipëria sepse kemi identitet të ri, flamur të ri dhe himnin e nemitur sepse pakoja Ahtisari na la pa tekst) po ndodhkan edhe gjëra të mira.
Syzet tona të zeza që shohin veç zi mund t’i zbehim pakëz e të shohim se kemi një gjyqësor që ia mban anën viktimës, natyrisht në këtë rast të drejtës, Iustitia-së që e kanë dhunuar epoka me rradhë.

Thonë se kush ka pasë punë me Rektorin e UP-se ai e di çka do të thotë të jeshë i përjashtuar nga puna, madje edhe nga pozita e Dekanit për zënkat private të individëve të papërgjegjshëm brenda kolektivit. Muskuloza janë atje në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe i përdorin bicepsat.

Por…Dekani Prof. Dr. Mustafë Aliu nuk i përdori muskujt, ai përdori Institucionin e Gjykatës për ta zgjidhur këtë problem. Mënyra më e moralshme, më civilizuese dhe më e drejtë për zgjidhjen e problemit. Ai e paditi UP, dhe Gjykata Komunale e Prishtinës e anuloi si jo të ligjshëm vendimin e Rektorit të UP-së mbi shkarkimin nga posti i Dekanit të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit të Prishtinës dhe e detyron që Rektorati i UP-së t’i mundësoj kryerjen e detyrës me të gjitha të drejtat dhe obligimet. Ai qe i zgjedhur me vendimin e Senatit të UP-së që ta ushtroj detyrën e dekanit nga data 09. 06. 2006 deri më 28. 09. 2009, kurse Rektori e shkarkon me arsyetimin që e di veç ai edhe pse një vendim të tillë ka qenë dashur ta sjell Senati dhe atë me 2/3 e anëtarëve të Senatit (neni 71 paragrafi 4 i Statutit të Universitetit të Prishtinës) dhe atë pas konsultimeve të Këshillit drejtues, Senatit, Këshillit të Fakultetit e krejt në fund edhe Rektori).

Ajo që më jep shpresë është se Tamara ime do të rritet dhe jetoj në një Shtet ku ka drejtësi dhe një Gjyqësor të Pavarur ku respektohen të drejtat e të gjithëve pa dallim. Dhe kjo është mirë t’u tregohet të gjithëve, nënave që mbajnë fëmijë të ardhshëm dhe atyrë që mëkojnë të sapolindurit sepse ashtu qumështi do të kulloj i lirë dhe do t’i rehatoj foshnjet tona.A do ta quaj edhe ajo Kosovën ashtu si e pagëzoi Perandoria Osmane, apo Ahtisaria si e pagëzova unë do të mbetet ta shohim.