Wednesday, March 21, 2012

Intervista e plote ne Gazeta Express, 21 mars 2012




Si e vleresoni kerkesen e shoqates se quajtur 'Gherush92' per ndalimin e 'Komedise Hyjnore'?

Kërkesa e Gherush 92, është një kërkesë, e cila i takon mendësisë bashkëkohore dhe sensibilitetit të globalizuar të njerizimit aktualisht. Është plotësisht në përputhje me tendencat globale për Harmoni, Tolerancë dhe Paqen botërore.
Natyrisht flitet për një çështje senzitive për, të cilën ka shumë pak gatishmëri që të debatohet, por kujtoj se Njerëzimi ka arritur në nivelin bukur të lartë të pjekurisë dhe duhet doemos të jetë në gjendje të ballafaqohet me secilën sfidë.
Në botën demokratike ku liria e shprehjes është primare diskurse të këtilla janë më se normale.

Letërsia si e tillë është dinamike dhe po t’i mungonte kjo dinamikë ajo as që kishte arritur këtë nivel të zhvillimit që e ka sot. Ajo se po luhaten disa vlera me të cilat jemi ushqyer me dekada vlen si arsyetim jo kognitiv, por është nostalgjik madje, emocional.
Ne ushqehemi me ushqime të ndryshme në jetën e përditshme dhe një ditë vendosim ta ndërrojmë dietën tonë apo të mos hamë fare, apo jo?. Nuk flasim këtu për librat e shenjtë, por për Letërsi dhe në Art nuk ka pikë, askush nuk ka arritur që krijimtarisë t’i vë pikë.


2.  Sipas jush a ka 'Komedia Hyjnore'  përmbajtje antisemite, raciste, homofobike dhe antiislame?

Pavarësisht se mua si autor vepra e Dantes më pëlqen shumë, ajo është refleksion i kohës në, të cilën është krijuar dhe vlerat e sotme që në i çmojmë dallojnë nga ato të dikurshme. Më pëlqen edhe Bhagvad Gita, Enuma Elish, Bardo Thodol e shumë të tjerë dhe kujtoj se këto nuk janë në kurrikulume tona. 

Kjo nuk ka ndodh vetëm në Letërsi dhe Fe, por edhe në Shkencë; nga ligji i Njutnit në fizik është mbindërtuar ligji i mekanikës kuantike dhe që të dyja kohabitojnë, por se dallimi kohor dhe të kuptuarit të njërës nga njëra anë dhe të tjetrës nga ana tjetër, sigurisht që krijon perceptime dhe domethënie të reja.

Vepra natyrisht që ka elemente antisemite, raciste, homofobike dhe antiislame për të kuptuarit e sotëm dhe kjo nuk guxon të na hutoj, sepse këto koncepte janë të kohës së re dhe në kohën e Dantes nuk është menduar si mendohet sot, pavarësisht se askush nuk mund ta arsyetoj urrejtjen, e cila ka ekzistuar që në zanafillë. Kujtoj Jonathan Swift: “Mjaft jemi religjioz për ta urrejtur njëri tjetrin, por jo mjaft religjioz për ta dashur njëri tjetrin”.
Problemi themelor në këtë diskurs është se po ngjyroset me elemente të religjionit ku njerëzit janë jashtëzakonisht senzitiv.



3.  Si do te dukej letersia boterore pa 'Komedine Hyjnore'?

Fillimisht duhet të kujtojmë se Dante nuk e ka çpikur Letërsinë dhe se Letërsia daton qysh më herët prandaj Letërsia boterore mundet edhe pa veprën e Dantes apo të cilit do që, i fyen ndjenjat e njeriut, në këtë rast njeriut bashkëkohor. Madje për ata, të cilët dëshirojnë ta studjonë më mirë veprën e Dantes e referoj studimin e  Miguel Assin Palacios. Ashtu si mundet pa shumë vepra tjera, të cilat kombet nëpër botë nuk i kanë promovuar aq sa duhet, bie fjala Baladat tona popullore, Galdabrok- Skandinav, Kebra Nagast Etiopiane, Zohar Hebrej, San Juan De la Cruz apo vepra e Immanuel Sëedenborg etj.

Ajo se neve mund të na ketë shkatërruar dikush kënaqësinë në rastin konkret të leximit të Dantes apo iluzionit në jetën e përditshme, është totalisht një rrethanë tjetër që ka nevojë për dikutim në rrafshin psikologjik dhe kur e them këtë e kam fjalën se kam lexuar Danten edhe Vargjet Satanike të Salman Rushdie dhe as Dante e as Rushdie nuk mërziten se në disa vende unë nuk pajtohem por se janë vepra artistike të nivelit, këtë nuk mund t’ua mohoj askush. Me rëndësi është që  vepra të tilla mos të sakralizohen deri në nivelin që të krijon urrejtje në botën tonë të brishtë.


4.  A duhet vleresuar veprat qe jane shkruar ne periudhen e Mesjetes apo Renesances me kritere te sotme apo duhet shikuar ndryshe?

Jo vetëm veprat, të cilat janë krijuar gjatë periudhës së Mesjetës dhe Renesancës por edhe ato të mëherëshmet edhe ato të sotmet duhet të vlerësohen me kritere bashkëkohore, sepse një gjë duhet ta mësojmë njëherë e përgjithmonë, kur flitet për Renesancën, (që për mua si koncept është shumë Europo-centrik), sepse flitet për Renesancën botërore që shkencërisht nuk qëndron, duhet të flitet për Renesancën Evropiane të trashëgimisë latine, jo për Spanjën Maure, Skandinavinë në veri, për Persinë, Indinë etj.

Problemi qëndron se njerëzit jetojnë në të sotmen me ndjesinë mesjetare religjioze. Unë kuptoj se janë disa postulate fetare, të cilat nuk ndryshojnë dhe këto krijojnë dogmën, por senzibiliteti për çështje respektive gjithsesi duhet të ndryshoj, sepse ndryshon edhe mendësia në bazë të zhvillimit të shkencës dhe trurit edhe ndjenjat dhe perceptimet ndryshojnë. Kujtoj se diçka që dikur ka qenë magjike ka evoluar  në fetare dhe ajo që dikur ka qenë fetare tani bëhet shkencore. Flasim për zhvillimin e vetëdijes njerëzore dhe në kohën tonë për fenomenin e globalizimit.

Unë jam duke e pritur kohën kur njerëzimi do të mbërrij në një stad zhvillimor kur do t’i akceptoj çështjet e ndryshme dhe të krijoj diversitetin në llojllojshmëri, kur këtë do ta marr si vlerë e përbashkët humane e jo të jetoj tani me mendësi mesjetare për çka me shumë zell e citoj Blaise Pascal: Njerëzit asnjëherë nuk bëjnë ndonjë krim në mënyrë aq të përkryer dhe me aq dëfrim, si atëherë kur e bëjnë nga bindja fetare”

No comments: