Letrën tënde ma solli pupëza.
Ajo fillonte me emrin e madh që
më urdhëronte ardhjen e pakusht.
Ecja me nxitim.
Karvani ishte i gjatë,
me ngarkesë të praruar,
Balsam, perla nga Oqeani i Indisë,
amber, storax dhe temjan Jemeni,
velur bojëgjaku.
Armaç i rëndë kjo xhybe e parfumuar.
Në pallat ecja me thundra pa take
ngre fustanellën prej filuri jeshil,
frikë kisha mos të lagen petkat e shtrenjta.
Uji rridhte nën dysheme kristaline.
Dy luaj më mirëprisnin.
Po të vi mbret i plotfuqishëm-
Sybil që dikton vargje
nga libri i madh prej yjësish,
e ti mos qorto pëllumba të dashuruar,
kur e dëgjon kuvendimin e tyre.
Atë bartin një peshë së bashku-
ajo barrë prej përhershmërie.
Një princ dua të ta fal
bota ta kujtoj një mbret-
të vetmin e te gjitha kohëve,
të drejt si engjëlli.
Të urtit e mi le të të shërbejnë,
ëndrrat t’i komentojnë si profeti Daniel
Nabu Kad Nasrit të Babilonisë.
Ne do të bashkohemi
të krijomë balancën qiellore.
Një njeri i ri të lind,
ai i cili paqen do ta sjell- për të gjithë.
Unë jam grua të cilës i këndohen himnet
dhe të cilës zemra i pëlcet si shegë e pjekur-
në secilën padrejtësi; unë jam gruaja me
forcën për ta lindur një botë të re-
ajo alkimiste që gjakun në qumësht ta shndërron
ajo e cila than lotët; në sedef ruan-
Kujtesën e fundit të nënës së mbretit.
Ajo e cila kumton kuvendimin e milingonës.
Kjo dhe vetëm kjo do të na mësoj-
se si malet shndërrohen në rërë lagune,
dhe gjuha e dashurisë mban peshën-
e të gjitha kohëve, para, gjatë dhe
pas njeriut.
E ne le të mbesim njerëz dhe
kjo le të na mjaftojë.
©Fahredin Shehu,
Shkruar me 8 mars 2013, per here te pare e lexuar ne Festivalin Nderkombetar "Britma e gruas"- ne Biblioteken kombetare te Kosoves, me 12 mars 2013, ne ora 12.00, Prishtine
No comments:
Post a Comment