Shkrimtari kosovar Fahredin Shehu sapo ka nxjerrë nga shtypi romanin e tij të ri, të titulluar ‘Manat’. Romani pasqyron jetën në Kosovën e pasluftës dhe trajton çështje të natyrës ekzistenciale në këtë periudhë të historisë sonë të re.
Edhe pse më shumë njihet si poet, Fahredin Shehu, sapo ka nxjerrë nga shtypi romanin e tij të dytë - pas atij ‘Nektarina’, të vitit 2004. Romani i tij i ri është titulluar ‘Manat’, dhe pasqyron jetën në Prishtinë e Prizren, në Kosovën e pasluftës, gjegjësisht, trajton çështje të natyrës ekzistenciale në këtë periudhë të historisë sonë të re. Në roman është vënë në pah edhe elementi dhe ambienti mistik, i cili kohabiton si subkulturë e shoqërisë kosovare.
“Nuk mungojnë as përshkrimet e shkollës pitagoreane dhe të traditës çifute. Për herë të parë në gjuhën shqipe flitet për shkollat mistike, Sarmouni dhe Eneagramet, të cilat në Perëndim i ka sjell Gurdijjeff”, tregon Shehu për Express.
Në romanin e ri të Shehut, i cili ka jo më shumë se 120 faqe, paraqiten edhe korrespondencat mes kulturave sufi dhe çifute. Shehu thotë se është një roman interesant, i cili do të zgjojë kureshtjen e njerëzve të etshëm për dije. E, në aspektin tematik, romani është jonkonvencional, edhe pse s’janë lënë anash as përditshmëria dhe çështjet ekzistenciale të popullatës në Kosovën e pasluftës.
Sa i përket titullit të romanit, Shehu thotë se manat janë pemë të çuditshme, sepse bien sapo të piqet fryti.
“Edhe në këtë roman, personazhi kryesor vdes, jo si viktimë e luftës, por me pjekuri shpirtërore. Dija për vdekjen i paraprinë kësaj vdekjeje”, thotë ai.
Shehu njihet si shkrimtar që në veprat e veta, qoftë në poezi apo në prozë, i inkorporon elementet e mistikes. Sipas tij, edhe në këtë roman elementi transcendental/mistik është shumë i pranishëm, posaçërisht në fund të veprës.
Për herë të parë në letërsinë shqipe, nëpërmjet këtij romani, lexuesi ka mundësi që të njihet me kulturën asiriane dhe me këshillat e antikës, të cilat janë sjellë në kohën tonë, megjithëse nuk ndryshojnë në kontekstin human, por mbeten valide edhe sot.
Shehu është një prej shkrimtarëve më të përkthyer nga Kosova. Libri që në mars të këtij viti u botua në New York, në gjuhën angleze, “Pleroma’s dew”, është përkthyer edhe në gjuhën turke dhe në atë arabe. Shehu tregon se po pret edhe versionet në gjuhën frënge dhe persishte. Ndërkaq, sa i përket romanit të fundit, ende nuk ka ndonjë ofertë konkrete.
Shehu është edhe njëri prej shkrimtarëve të rrallë kosovar që merr pjesë në festivale të shumta ndërkombëtare të poezisë. Ai e veçon festivalin Nisan, i cili mbahet në Nazareth, në Izrael, ku thotë se ka pasur një pritje të jashtëzakonshme.
“Kujtoj se jam i pari, dhe i vetmi kosovar që ka marrë pjesë në këtë festival, që është mbajtur për të 13’ën herë me radhë. Ne jemi një popull i vogël, dhe me një gjuhë është e njohur nga pak kush, por pritja e vargut shqip ka qenë në nivel shumë të lartë”, shprehet Shehu.
Ai tregon se, bashkë me poetë nga Ballkani dhe Euro-Azia, nga data 7 e deri më 11 dhjetor do të marrë pjesë në Kongresin Letrar në Izmir (Turqi), ku do të ketë takime letrare dhe një konferencë, në të cilën do të debatohet për poezinë dhe për gjendjen e letërsive përkatëse nga përfaqësuesit e shteteve mysafire, si Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Azerbajxhani, Irani, por edhe nga autorët që vijnë nga Qiproja e deri te Australia e largët.