Wednesday, September 13, 2006

Librat e botuara

NEKTARINA

Fahredin Shehu

Bota, kjo që i themi, nuk është edhe aq e mbrapshtë sa dioptria jonë e shtrembëruar në të gjitha përspektivat dhe retrospektivat e saj. Bota, kjo nuk është edhe aq e mrekullueshme sa e ndjen mikrokimia e kënaqësisë...
Por eja të mendojme sëbashku për ditën kur ishim larg dhe për ditën që do të jemi larg. Atëherë ishim të hutuar me hutinë, pastaj do të jemi të hutuar me çudinë...

Harrohet një bukuri e parë
Me sytë e të gjithë vetave
Të relaksuara


Për të satën herë shikoj
Tulipanin e hapur pa aromë

Por zemra si e trëndafilit i sh'ndritë
Vazhdimi më thotë

Të jetohet duhet sërish
Në vapën përcëlluese
Mes hijesh, njerëzish

Që valëviten si flamuj
Me emra zotërash të dekoruar
Që paganisht mbajnë botën në jetë
Shtegëtarët përshëndesin mrekullueshëm
Presin diellin t’iu djeg mëkatet


Të përjetshmit ngrisin kulla
Në labirintin e të cilëve eshtrat lenë
Pastaj humbet gjurmë njeriu
Vetëm mbeturina fosfori e blozi

Riciklojnë të kaluarën
Në kujtesën e vazhdimit
Të pasur me mbarime
Kënga e dashurisë në gjuhën e kuptueshme

Dita është e bukur. Edhe qershori, gjithashtu. Pakëz më mirren mendët, por do të vazhdoj së rrëfyeri, tregimin për mrekullinë e pashuar të pritjes. Shpresë e mallkuar, kurrë nuk do të martohet njëherë e mos të mendoj për të. Ja sikur tregoja dhe këndoja për të, ajo më përzihej edhe në epifanitë e slajdit paraprak. E mallkuar qoftë ajo.

Shoh se do të ndërprej së shkruari, si këndimi i pëllumbit. Gjërat duhet të konkretizohen. Kështu kërkon mileti (mos u hidhëro popull), është ky huazim sa për ta zgjuar plogështinë e leximit. Vetëm gjuajta e gurit në moçal. Për rrathët e ujit nuk do të flas se ato tani janë bërë stereotip. As nuk do flas për palimpsestët sepse edhe ai është bërë palimpsest.

Në ndërkohë kupto se po vazhdoj ta shkruaj librin e madh. Të flas për enciklopedinë e slajdeve, të cilat si flatrat fërfërisin në atmosferën vizuele ndërsa i gjuan farët në truallin tënd, mbarë e mbrapsht ktheje stereotipin, antistereotipin, tani argjilën dhe vetë modeloje. Shtrydhe rrushin verën ta pish, shtrydhe pjeshkën Nektarina që i ngjan vetëm vetës. Kush mund ta mohojë lëvozhgën e velurtë, ai është i vdekur për këtë botë. I mallkuar qoftë ai i cili nuk shijon nektarin e Nektarinës.

Nuk di a jam përpjekur të shkruaj një libër shqip. Me doli kjo... si një komponim që duhet të zhvillohet. Analiza është emër i kimisë. Sublimimi është emër i Alkimisë. Vërtet' duhet të punoj. Ju nuk vini nga Marsi dhe për këtë duhet ta përgatis një fjalor Oxford Shqip–Shqip. Për ata të cilët dëshirojnë të pinë nektarin e Nektarinës. Dhe në botën e tyre të sillen si të duan sepse vetëm atyre u takon, vetëm po ta kuptonin. Bota, kjo që i themi, nuk është edhe aq e mbrapshtë sa dioptria jonë e shtrembëruar në të gjitha përspektivat dhe retrospektivat e saj. Bota, kjo nuk është edhe aq e mrekullueshme sa e ndjen mikrokimia e kënaqësisë.

Fitova një përvojë të re të komunikimit. Dëshpërimi të kurorëzon si kalorës mesjetar. Por eja të mendojmë sëbashku për ditën kur ishim larg dhe për ditën që do të jemi larg. Atëherë ishim të hutuar me hutinë, pastaj do të jemi të hutuar me çudinë dhe të gjithë do të jemi TË GJITHË, të gjithë do të jemi ne, sikur ishim. Po ishim pikat, atomet, molekulat e Nektarinës. Mos u dëshpëro se do të ta përgatis një fjalor Oxford Shqip-Nektarinë dhe Nektarinë-Shqip. Vetëm të kesh durim. Sa i përket pikës kjo më duket shumë e madhe. Më patën thënë se njësia e materies është Atomi, njësia e energjisë Joni, ndërsa njësia e qenies së vetëdijes Ego-ja. Në ty është radha. Plotëso këtë zbrazëtirë. Mbushe këtë kupë me nektar të Nektarinës
Merr paisjet dhe puno
Fillo ngadal
Qetë, qeeetë, qeeeeeeeeeeeeeeeeeeeetë
Taaaaashshshshshshsh
------------- ---------- ------------ -----------

ELEMENTAL 99 (Cikël poetik - III)

Fahredin Shehu


Tirani


Nuk njoh tjetër që në këtë mënyrë kaq të vrazhdë përcjell
duke ndëshkuar për çdo hap që do e që s'do të ec para e
prapa.

A ka armik më të madh? Sikur nuk ekziston askush tjetër
që është objekt vërejtjeje me dioptri të qindfishuar. Vetëm
unë sillem në qarkun e këtillë, që përpiqem të dal jashtë dhe
teksa ky më liron tjetra më okupon. Deri kur do të jetoj në
botën e shtrembëruar?

A ka armik më të madh?

Pse e gjithë kjo vëmendje kundër meje? Vetëm sa shikoj
një relief gjinjsh të stërbukur përplot ardhmëri, dikush më
kritikon (jo trumbeton) nga brendia, që ligjet këtë nuk e lejojnë.

A ka armik më të madh?

Tiran i odave skëterrore. Ai që mban çelësat dhe i ruanpragjet e pafundta si stomaqe vullkanesh (
SA PËR TË TADHËNË PAMJEN MË REALE), Ai që kujdeset për zurkaja
klithjesh të të gjorëve.

Nuk di a ka armik më të madh? Aq i kthyer kundër vetes.
Po nuk guxoj bre ta vë kokërdhokun nga qoshi në tjetrin,
më mëshojnë me kamxhik, më sjellin si fruljetë.

Dhe luaj vallen e shtrembësisë së madhe të Ibzenit e sillem
si fruljetë.


Tymen

Sinjalet i vinin nëpërmjet fijeve erotike si vibrimet ëndërrore
që vrushkullojnë në bebëzat e lodhura.

Trupi që dukej se po ecte, tirkiz i lëmuar me ëndje të
madhe dhe frymë të shenjtë e fryer kaherë si puhizë, shfaqej
në tejdukshmëri si vizion verbues i të sotmes së tashpërtashme.

Pranuesi ishte, zgjuarsia që pëlciste nga shkëlqimi dhe
alivanosej nga tretja duke dëshmuar momentin, të vetmin që
është në gjendje edhe Zotin ta harrojë.

Dhe ja shikoi më në fund, në fillim figurën lëvizëse të
zhveshur si skrrajë tek zvarritej në dyshemenë e shtruar nga
puplat dhe mëndafshi. Pastaj, po afrohej dhe i dukej se parashutistë
është e do të thehet në shkëlqimin e tirkizit. Aq ftohtë.
Më në fund ra duke depërtuar në glazurën organike si të
tëhuajsuar nga kohërat. Aq thellë: Depërtoi.Sa.Që.Po.
Thuaj.Se.U.Bashkuan.Si.Oksigjeni.Me.Hidrogjenin. “Kështu
fliste profesori i kimisë”. Kaloi nga këtu në AH-un e fundit
të yllit të vetmuar dhe shikonte me dioptri të mjegulluar si
atje poshtë enden fijet erotike që ai me yllin të ngazëllehet
për herë të fundit.


Kenobiti

Të gjithë që ishin këtu, ama të gjithë disi kërkonin të
njëjtën gjë. Edhe unë, por diçka ma prente barkun. Ishte një
dhembje radioaktive e si askush nuk gjeti mëshirë, askush
nuk gjeti mëshirë ta kthej kokën tek shtrydhesha, tek më delte
shkuma e të gjitha ngjyrave.

Ditët kalonin, aq shumë largohesha sa që nuk kuptoja
dot, si më lan. Kot përpiqesha të bashkohem me lutjen e tyre,
por ata më dëbonin duke kërkuar e duke më mosvërejtur.

Fillova të dal nga çdo formë e lëngët. Pushova të jem pikë
e tyre e shenjtë që bekonte çdogjë që shkëlqente.

Vetëm disa hapa më tej, në yllin tjetër, shihej fytyra ime
e pahutuar siç shikohet shpina e diellit në fytyrën e hënës.

Ata shikonin qiellin tim të sterrorur dhe vet paraqitja
ime, sytë i verbonte, qiellin e ndriçonte, pezmin vullkan e
eruptonte dhe më lan të vuaj!?

E unë buzëqeshem me lezet.


Një këngë në mes të fjalëve

E tejkalova librin
erdha tek njeriu


S'ka dyshim se është i çuditshëm ai që e këndoi këtë
këngë. Ai bile as e quante veten poet, as këngëtar. Kishte
çdoherë komente të kundërta për vetveten, në krahasim me
atë çka më dukej mua, por edhe të shumtëve që janë si unë.

“Si mundet njeriu ta tejkaloj librin” - thoshte i hutuari
duke ecur krahpërkrah me ikonën e botës së civilizuar që habitej
vetëm kur gënjeshtra e gjuhës së tij pajtohej me të vërtetën
e zemrës dhe mendjes së tij dhe çka, ai ishte duke lexuar
“The Dune” të Frank Herbertit dhe thellë në vete mendonte
se, bakllava, si e spjegon Herberti, na qenka një lloj i
posaçëm i ëmbëlsirës që e hanë banorët e distriktit kosmik të
quajtur ARAKIS.

Unë, sot, pas shumë kohësh, i tregoj se vërtet, ai poet
paska tejkaluar librin dhe erdhi tek njeriu, tek njeriu që kuptohet.
Jo nga ai që ka dalur, por tek ai që po derdhet për të
jetuar në lumturi e të kënaqet me pjeshka leshatuke nektari i
të cilëve të gjarpërohet mes gishtrinjëve dhe arrijnë deri tek
bërryli duke mos i ndalur as qimet e derdhura në mes të rrugës
ku kalonte me elegancë.


Njeriu dhe fëmija

Forma drastike e vazhdimit të tregimit

Një nga momentet e vështira të takimeve është kur të
sillen njerëzit. Dhe ishte një njeri që vetëquhej. E nuk kishte
gjë që nuk përkdhelte. Çdo lloj të dijes, çdo lloj të dashurisë.
Fëmija ishte në dukje vetëm njeri i rëndomtë, i pakonsiderueshëm
për bisedë. Dhe krejt çka bënte ishte mençuria e tij.
Dhe fliste me njeriun si ylli me gurin e lëmuar. Çdo gjë dukej
se është kot së koti. Më në fund një tepsi bakllavë prapa. Dhe
fëmija fliste për gjëra të larta. E si mund të flasë ylli ndryshe.
Ndërsa njeriu humbte çdo gjurmë të këtij tregimi, si arusha
gjurmët e mjaltit.

Po ku po shkon o i mallkuar, bleta është, jam, janë - nuk
të lëmë të qetë, ta dish.

Unë ta vazhdova këtë tregim. Lojtar i fëlliqur është njeriu,
lojtar i papërshtatshëm. Ai thente qetësinë në mënyrën
vetanake. Por, ne, i nuhasim miziviritë e tilla. Pizivengut
nuk i lemë hapësirë manipulimi.

Unë po e vazhdoj këtë tregim dhe po hapem si guaca e
përvuajtur me barkqitje përlesh.

Fëmija fliste për Eufanimët, Sallamandrat dhe kryeengjëjt
tjerë.

Njeriu lëpinte hundët, gjurmën e fundit të mjaltit por si
arusha.

Vdekatarët e rëndomtë zukatnin si zakonisht.


Atë natë qentë lehnin ndryshe

Ndodh që të ec i përgjumuri në tehe të murit e të mos
bie në tregimet e të mallëngjyerve të pragut të ylbertë. Pas
shumë ditëve, e takova në rrugë dhe më përshëndeti duke
më lënë përshtypje se po ikte larg prej këtej dhe as kërkonte
buzëqeshjen time, meqë po kalonte në të zezën e vuajtjes po
edhe në vuajtje, nuancën e saj më të ultë. Basi i vuajtjes së tij
hetohej edhe në mua si tronditje e papritur e përcjellur me
shumësi laramane të tingullt, si do të thoshte Vainingeri.

Era frynte, gjethet m'i lëkundte. Disa më ranë si lotët e
pakthyeshëm të njeriut të përvuajtur që as këndon e as
hesht, vetëm dënes.

E shikoja si më vinte në gosti dhe lente Ah-un ku secili
dukej se është i fundit.

Ishte zog i bukur që me ëndje e shikonin. Veç të kujtosh
këngën e tij, është kënaqësi e lere më, ta ndiesh. Kurse tani
është shumë vonë për këngën e tij. Herën e fundit e këndoi
para Bajramit të madh. Nuk durova, e ndala dhe e pyeta: Pse
ik miku im e nuk ma le këngën tënde ta mbaj si kujtim.

“Shumë pak kohë” -u përgjigj ai.

“Po ti ke krahët dhe…”

“Ndal të lutem”.

Atë natë qentë ashpër lehnin, u frikësova. Jo nga qentë
por nga njerëzit, që të mos mendonin se po vdisja.

“Kaq le të mjaftojë” - thoshte si i hutuar.

“Ndal. Ndal o miku im, stolia e gjetheve të mi. Ndal të
lutem”. - Po nuk vlente, ai kishte vendosur.

“Shumë pak kohë kam, më duhet ta zë valën e fundit.
Më duhet ta zë vibrimin e fundit, a po më kupton?”


***

"Ndal o mik, ti e di që unë nuk i takoj atyre që dinë të
shabakohen. Edhe unë e kam vuajtjen plagë që kullon. Po më
derdhet si ujvarë. As jam nga ata nakarmëdhentë që donë të
ta humbasin momentin e shenjtërisë, veç dua të ndahemi si
miq. Kjo është gënjeshtra ime nga e cila vuaj.

“Shumë pak”…-më tha. “Shumë pak”. Dhe tek humbaste
çdo gjurmë të vetën në lamtumirën e qiellit, zëri jehonte
duke i tingëlluar -”carpe diem, carpe diem”.

“Lamtumirë miku im, unë të siguroj nga harresa. Le të
të lehin qentë sa të donë, le të gëzohen armiqtë e le të hamenden,
se ashtu shpejt nuk vdiset” -I tha lisi, të cilit era i shkundte
gjethe dhe hudhte si lotë të pakthyeshëm.

Këtë tregim ma tregoi lisi i përlotur në ditën kur në këtë
qytet të vogël, ama shumë të vogël, çdo gjë digjej nga detonimet
dhe eksplozivët e montuar në lagjen më të kalueshme
të qytetit që çon kah Theranda.


Pjeshka

Nuk do të flas për kurrfarë lloji të vetmisë e cila do të na
preokuponte aq shumë sa që do t'i ekspozoheshim harresës
me aq intensitet të madh sa që të gjithë do të dyshonin se
kurdoherë kjo tokë e pa fytyrën e tyre, por për njëlloj të vetmisë
së pavetëdijshme, e cila nuk gjen rrugëdalje pos që
zhvillohet si top pëlhure elektromagnetike nën pragun e të
perceptuarit tonë që të përvëlon nga lëkura e deri te formacionet
më të imta organike, ekzistencën e të cilëve nuk e dyshojmë.

Ai foli për gjëra më të thella sepse ishte i gjallë dhe
lëvizte e kontraktonte më shumë lloje njerëzish, ndërsa ky
fliste për lëkurën e pjeshkës dhe për botën që vetëm atij i takonte.

Kjo është një sëmundje që përhapet. Të mençurit e
emërtuan SVP (Sindromi i Vetmisë Perfide), ndërsa në masa
të gjera quhet SHM ose (Shenjtëria Malicioze), e vet ata nuk
e quajnë sepse është thellë në ta dhe nuk e hetojnë. Ekziston
pakica e vogël e të sëmurëve që e kuptuan gjendjen e vet, të
cilën e quajnë GJP (Gjendja Periferike).

Ai që fliste për lëkurën e pjeshkës ishte më i mençuri i
të gjitha botërave.

Pse?

Sepse fliste në botën e tij si mbret i fronit më të lartë.


Vdekja e kalit

Kali vdiste bindshëm dhe ishte hera e parë që kuptoja të
mesmen e fjalëve të vdekatarit tek më thoshte: “Nuk ka të
vërtetë më të vërtetë dhe më të sigurtë se vdekja. Çdo vetëdije
është e preokupuar me vdekjen dhe ajo nuk është e vërtetë
ngase lakuriqon fshehtësinë e jetës, por vërtetësinë e realizimit
të saj”. Dhe e gjithë kjo nuk më mjaftonte me të parë se
ai shtrihej me gjuhë të varur duke i kulluar jargët në dheun
e pluhurt qull, duke u gatitur ngjyra e të cilit ndryshohej nga
lagështia.

Ai nuk njihte konceptin Resurectio.

Më shumë i ngjante kjo, derdhjes së fluidëve dhe lëvizjes
së lëngët sesa ndonjë kalimi të dhunshëm që zhvillohet si
tregim i rëndë dhe zvarritet me përtaci nëpër esplanadë, qëllimisht
për ta parë sytë e botës dhe duke u mahnitur zemrat
e tyre që me ëndje gjakojnë për këtë lumturi.


Jam pjesë e të njëjtës ultësi
por maja ime i kalon retë e bardha

As përafërsisht nuk mund ta përshkruaj dhembjen memece
të kurrizit tim, nëpër të cilin, me eone të tëra kalonin
shpirtrat e të gjitha ngjyrave, tek lodronin në motet e vonshme
të jetës, duke u hamendur se janë fëmijë të përhershëm
që për plakje ide nuk kanë.

Hasani ishte ajo lloj krijese që dinte për kupat e zbrazura
dhe mënyrën se si mbushen, por disi i mungonte aftësia e
ngjyrosjes së lëngjeve që ishin gati aty për t'u derdhur. Veçse
ndonjëherë, aq ishte i bindur në vërtetësinë e fjalëve të veta,
gjë që edhe përputhej me fakte sa që haptazi e thoshte, pa u
kthyer anash për t'i parë njerëzit se për të mendojnë ndryshe
dhe e shohin duke folur për vetveten, në superlativ.

Shikuar vërtetësisht, ai këto momente të vetëdijshme i
përjetonte vetëm si të veta dhe se momentin e tij e grahte
krejtësisht dikush tjetër.

Klithjen e tij veç të famshme JAM PJESË E TË NJËJTËSULTËSI, POR MAJA IME I KALON RETË E BARDHA,
dikur ishte një tingëllimë më ekspresive dhe blasfemi moti e
përsëritur dhe e radhitur nga ata si zotfyesi e pashembullt,
ndërsa tani si tingulli i këmbanave të kishës që ushtojnë pa u
ndier.


Fëmija me pjeshkë në duar

Ja hoji i bletëve që kullon mjaltin e pangrënë, turpshëm
pret të zbrazet dhe ta kryej të veten.

Dikush mund të habitet, por Meti ishte virtuoz dhe çka
është me rëndësi, të gjithë e njihnin si njeri, aty ku shkel bari
nuk mbin. Dhe vërtet ishte ashtu, por unë për këtë e
kam përrallën time. Ishte e vërtetë se ku ai shkelte bari nuk
mbinte, kjo sepse dukej ashtu. Barit i binte të fikët dhe në gjatësinë
e alivanosjes vdekja e mbante timonin me aq pietet,
saqë pothuaj asgjë tjetër nuk ekziston. E të fikurit e barit ishte
instazë e vërtetë, dhe ai atje realitetin e vet e shihte me nuanca
të reja si dhe nuk kishte më nevojë më të ekzistonte,
prandaj ai fikej, terej, vërtet të gjithë-ët kishin të drejtë nga
niveli i tyre, por edhe përralla më duket se është në këmbët
e shëndosha.

Po e lëmë këtë dhe po vazhdojmë me pjeshka në duart
e Metit. Pjeshkat ishin leshatuke si faqet e beqarit fshatar, për
të cilin kalleshin vajzat e qytetit duke projektuar në të të gjitha
aftësitë aplikative të fizikës së shëndoshë. Ndërsa kur ato
pjeshka, ishin të papjekura, dukeshin si shpinë miu, e unë
minjtë nuk i dua.

Meti mbante pjeshka dhe ëndrronte nektarin e tyre, vërtet
e ëndërronte. Dhe çdoherë që i provonte ato kishin shije
të ndryshme e ai i ndjente ato dhe ishte në gjendje t'i dallonte
nuancat e shijes.

Dhe kujdes, ai edhe krahas asaj se ishin leshatuke, për
hir të nektarit, rrezikonte, Po, shumë rrezikonte.

Meti ishte trim dhe jo vetëm për pjeshka.




1 comment:

FAHREDIN SHEHU said...

Impresione
Daut Demaku - në ditën e promovimit të romanit.

Nëse di të gëzohet... sot le të gëzohet Letërsia Shqipe

Unë do të flas pak për romanin "Nektarina" të Fahredin Shehut. Por, më falni, në fillim dua t'i them dy-tri fjalë për autorin. E di se shumica e madhe do të ma shohin për të madhe dhe do të thonë është tepër, nuk ka qenë dashtë të flitet kështu.

Pse?
Sepse unë mendoj se Rahoveci mund të shndërrohet në qendër kulturore të Kosovës pikërisht duke iu falënderuar Fahredin Shehut.
Në ambientin tonë, në mentalitetin tonë, në vlerën e gjykimeve e vlerësimeve tona, gjithnjë në bazë të paradigmave të vjetra roli i individit është nënçmuar, roli i individit është nënvlerësuar, roli i individit është shkrirë në vlerën mashtruese të quajtur popull. Populli asnjëherë nuk ka bërë asgjë. Populli e han shtetin. Individi është ai që e çon botën përpara. Individi i fuqishëm është forca motorike që e vë në lëvizje mekanizmin amorf të quajtur popull.
Amerika është prodhuese e dëshmive për këto konstatime. Në Amerikë nuk ka firma me emrin Përparimi, Ardhmëria, Progres e pollavra të tjera komuniste. Atje firmat e mbajnë emrin e individit si Ford, Douglas, Johnson etj., sepse individi është bartës i kthesave dhe krijues i mrekullive që masa amorfe ( e quajtur popull) i kopjon, i riprodhon dhe i shfrytëzon rezultatet e individit.
Cilat zbulime i bëri populi e cilat individi? Populli asnjë, individi të gjitha. Rahoveci, prandaj, është në rrugë të mirë të bëhet qendër kulturore e Kosovës, gjithnjë në krahë të fuqisë krijuese të Fahredin Shehut.
Por, këtë mundësi, si shumë qendra të tjera të Kosovës, edhe Rahoveci zor se do të dijë ta shfrytëzojë.
E tash do të flasë për romanin.

Ç'është Nektarina?
Është embrioni, është poleni i jetës. Është aroma e të gjitha luleve që mbushin botën me erën e mirë, por vetëm në pranverë. Kurse në Nektarinë është një aromë tjetër, është një vijë e aromës së përhershme, është një pranverë e përhershme, që gjendet Brenda në njeriun. Dhe, kjo aromë nuk pret një stinë që të shpërthejë, nuk pret një lule që të lulëzojë, nuk pret një erë që të bart aromën e saj - jo…Në Nektarinë kjo pranverë është e përhershme, deri në amshim, në këtë pranverë të përhershme janë të gjitha lulet e botës, në të gjitha këto lule të botës janë të shkrira të gjitha erëmirat e luleve dhe të gjitha këto sëbashku përbëjnë Nektarin e jetës - Nektarinën e hyjnores në NJERIUN.

Autori-personazh është një diçka e jashtëzakonshme që nuk jemi mësuar ta takojmë në letërsinë tonë. Këtu autori-personazh nuk ka vetulla të thinjura e shpatulla të gjera, nuk ka sypushkë e hap krenar. Jo. Këtu, në Nektarinë, autori-personazh është edhe brendësia edhe jashtësia, është edhe shkruesi i germave të vrazhda, por edhe nobelisti i nesërm, që ecë rrugëve të brendëshme e të jashtme, që është edhe personazh i tokës edhe i qiellit, apo më saktë: pikë bashkimi tokë e qiell, për të cilin nuk ka kurrëfarë vështirësie të ngritet në qiell, në nobel, sepse qiell është vet, nobeli është vetë, letërsia është vetë.
Lexuesi do të takojë shumë pika hutimi. Do të hutohet në gjininë e personazhit, i cili gjithnjë përcaktohet me të dy gjinitë i/e: edhe i atij edhe i asaj.
Ai/ajo është edhe mashkull, edhe femër, apo më saktë as mashkull, as femër. Dhe, për mrekullinë e lexuesit, ky personazh me të dy gjinitë ndërthuret edhe ne skena dashuriie. Athua, a është dashuria kështu?

Kureshtja ime prej lexuesi është nisur më shumë me vëmendje nga kjo pikë. Është ditur se të gjitha besimet fetare e kanë shpall seksualitetin akt të turpshëm dhe të ndytë. Mbi këtë fakt, që është kodifikuar në nënvetëdijen e njerëzve në tërë botën, akti seksual është bërë bazë e jerë traumatike e njerëzimit.
…dhe kush është shpall akt i turpshëm? Seksualiteti, që faktikisht e seksualiteti - a do të ishim këtu? Jeta ia jep jetës energjiinë më të madhe, energjinë e parë- për vazhdimin e jetës. E marrëzia njerëzore, aktin hyjnor të vazhdimit të jetës - e shpall akt të turpshëm.
Qysh duket në Nektarinë seksualiteti?
Duket i shkrirë, duket i tejkaluar, duke i bashkuar: të dy gjinitë në një, të dy polet në një, të dy rrugët në një. Pse? Sepse vetëm mbi tejkalimin, pra atë tejkalimin e domosdoshëm të vijës horizontale - mbi tejkalimin e egos, mbi tejkalimin e paradigmave të përditshmërisë së vdekshme e të frikshme- ndërtohet rruga tjetër, vertikalja që çon në dritë, në përndritje- në urën e madhe e të gjatë- në hyjnoren e përjetësisë, të dritës e të qetësisë – në vijën e amshimit.

Nuk jam i sigurt se Kosova do të dijë ta lexoj këtë roman. Të paktën jo edhe nja 100 vjet.
Por jam i sigurt se Kosova sot, përmes emrit të Fahredin Shehut po shkruan për shekullin e ardhshëm dhe, poashtu, jam plotësisht i sigurt se ky emër i lindur dhe i rritur në Rahovec do t'i shërbejë botës artistike të shekullit të ardhshëm si pikë referimi.
Kjo është mrekullia që na ka bashkuar sot, që ta konstatojmë sot dhe ta festojmë sot lindjen e yllit më të bukur në qiellin artistik të Evropës.

Dhe në vend të përfundimit: e di, shumica prej jush do të mendojnë e do të thonë: kjo është tepër, nuk ka qenë dashtë të flitet kështu. Por unë e di një fakt tjetër: e vërteta është më e madhe se ne të gjithë sëbashku, prandaj ai që pretendon të jetë njeri, ka për detyrë, pikërisht sikur unë sonte, ta thotë të vërtetën, pavarsisht nga xhelozia, dilemat dhe mendimet konfuze që mund të krijohen në kokat tuaja.

Jo Fahredin Shehut, por kulturës shqiptare po ia uroj botimin e këtij romani. Sepse jam thellësisht i bindur se ky roman dhe ky autor i bën nder kombit dhe njerëzimit.