Friday, June 24, 2011

“NJË TREN PËR BLLACE”

http://gazeta-nacional.com/web/?p=77
“NJË TREN PËR BLLACE”
Recension






Ilire Zajmi dhe Filippo Landi
Që nga titulli Tunel e deri tek ISBN-ja në anën e pasme të ballinës, librin të cilin e mbaj në dorë, më erdhi si zhivë në aortë.
Kur them titulli Tunel e kam fjalën para se gjithash për një rrugë të cilën autorët e panë si shteg që çuaka drejt në parajsën e quajtur Bllace.
Kur them Zhivë- e kam fjalën për librin i cili më erdhi si bulë mallkimi në kohën kur ende po rehabilitohesha nga ato që personalisht kam përjetuar në të dy ofensivat serbe në Rahovec.
Ilire Zajmi dhe Filippo Landi kanë shkruar atë që kanë parë, dhe për atë që kanë përjetuar dhe sfilitur në kohën e vështirë për Kosovën, për të na rikujtuar serikisht për të ligat, që i sjell lufta. Natyrisht, luftërat nuk kanë diminutiv, andaj po t’i bashkëngjitesha edhe unë këtij libri, ky do të ishte dukshëm më voluminoz.
Në vitin 2005 isha në një kongres në Kajro mbi Politikën, fenë, arrogancën dhe shtetin në kontekst të veprës së Ibn Khaldonit, ku kam përmendur rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Audienca është tmerruar gjatë diskutimit tim pas kumtesës, se deportimi i shqiptarëve përtej kufirit i ngjau eksodit biblik të Mojsiut nga zullumi i Ramzesit II, duke i shtuar kësaj se bota demokratike nuk mund të qëndroj duarkryq dhe të bëj sehir derisa ende kundërmonte gjaku i Srebrenicës, për çka edhe pasuan bombardimet e NATO-s. Ata në Egjipt ende i besonin një Jugosllavie e cila ka derdhur gjak që nga Sllovenia, në Kroaci nëpër Bosnje për të përfunduar në Kosovë. Një shtet, i cili si është formuar artificialisht për të përfunduar si gjakderdhje më e madhe në Evropën e fundshekullit të XX. Se lobi hebre në SHBA, e identifikoi këtë eksod të Kosovarëve si eksod biblik dhe loboi bindshëm për bombardime, këtë e kam thënë troç, në çka pasuan shumë reagime. Pikërisht kjo më tmerroi mua.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto, kujtoj se, nuk ka qenë lehtë të gjendesh në Rahovec. Këtë e kanë vërtetuar edhe Ilire Zajmi dhe Filippo Landi, ndërsa unë për t’i ikur çmendisë, lexoja librat e çmendur, kam fjalën për librat e OSHO Rajneesh, si librat e vetme të mbijetuar nga Lufta, sepse ishin të fshehur tek motra në pjesën tjetër të qytezës. Ato sapo i lexoja m’i ndërronte nëna kur i shkonte në vizitë motrës.
Çdo mëngjes shikoja çerdhen dhe një kumri, e cila kishte rënë klluq në dardhën që e kishte mbjellur gjyshi nga ana e nënës.
NATO bombardonte, serbët bënin regjistrimin e popullatës shqiptare, të shohin edhe sa kanë mbetur, ashtu që të planifikojnë më mirë kë ta dëbojnë e kë ta vrasin.
Në ditën e 70 të bombardimeve humba çdo shpresë se do të bëhet mirë.
Emri i Xhejmi Sheas u mësua jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga murrët. Të gjithë e dëgjonin. Frymëmarrja ishte e rëndë dhe pothuaj e pandjeshme.
Profesoresha ime e biologjisë Elmaze Kadiri motra e profesorit Bardhyl Qaushi, pas torturave dhe vrasjes ne fund edhe u masakrua e Zoja e shpisë Tahibe Sharku, një tregtare e dalluar është vrarë me vajzën dhe tre fëmijë nga mosha 3-12 vjeç të therur me thikë, të prerë në gushë dhe me trupa të shpuar me plumba pas copëtimit të gjymtyrëve. dhe e gjithë kjo në orët e vona të natës kur fëmijët ishin duke fjetur në gjumë.
Njeriu pas kësaj kishte të drejtë edhe të imagjinonte dhe dëshironte të jetë një plep apo ai çift mace që bënin flirt në murrin e oborrit…vetëm njeri të mos jetë.
Këto detaje sigurisht i mungojnë librit, këto detaje i mungojnë, jam i bindur edhe grupit negociator të Kosovës me Serbinë, e cila e padit Kosovën dhe kushtëzon në vend që të kërkoj falje dhe të pastroj duart nga gjaku, ashtu si ka bërë Vili Brandi për vikitimat e SHOAH-s, Holokaustit.
Nuk më ka ndodh ende që një libër ta lexoj me më shumë vështirësi se sa këtë, edhe pse librin e Nusret Pllanës e kam shfletuar disa herë që mos ta harroj tmerrin njerëzor që vie nga fqinji i lig, ende i lig, ende me tendenca kundër-shqiptare.
Që nga dita kur ka dalë nga botimi dhe ende i vinte era gaz nga shtypshkronja e deri sot tek më kundërmon goja gjak nga rënkimi, ta mbaj si një copë kujtese të shkëputur, të shkulur nga qenësia ime prej këtyre dy autorëve.
Nuk ishte lehtë, nuk është lehtë dhe kurrë nuk do të jetë lehtë të ballafaqohesh me një libër të këtillë; një segment shumë i rëndë i historisë kosovare, ballkanike, evropiane dhe botërore.
Ky libër duhet të përkthehet në sa më shumë gjuhë botërore dhe t’u shpërndahemisioneve diplomatike, që edhe njëherë të rikujtohen se, çfarë ka ndodhur në Kosovë.
Po më vjen keq që për këtë libër nuk mund të flas serbisht, që t’iu kumtoj edhe atyre të vërtetën të cilën edhe ata e dinë por e mohojnë me shumë zell. Ne këtë nuk duhet ta lejojmë!



Fahredin Shehu
qershor 2011
Rahovec

No comments: