Friday, May 11, 2007

Poezi te reja

PYETJET


Si ta pi këtë kupë plotë jete parakalim slajdesh me dimensioned e shumëta të projektuar
Si kapsallitje e syrit të djathtë tek kujton se hënën e ndau dysh me të thyer të qepallës pa talkum dhe polene palmash

Nëse më zgjodhe t’i duroj begatitë e të kënaqem me to vetëm për një `ast
Nëse më zgjodhe t’i duroj vuajtjet vetëm për t’i kujtuar begatitë si kur e kupton ëmbëlsinë pas idhësisë së pëlinit
Nëse më zgjodhe ta duroj spektrin nga djegja e qenies në esëncën tënde
Nëse më zgjodhe t’ithem vetës dështim mileniumi

Pse nuk e ledhaton njherë këtë fëmijë të lazrduar i cili sapo sheh vuajtjen e dikujt fytyrën me lotë e shpërlan jo vetëm për vete por edhe për të tjerët

Pse nuk i fryen në hundë T’i japësh jetë si Ademit se ky njeri po vdes sall për një dashuri për vete dhe për të tjerë

Pse nuk e mëshiron me pluhur yjesh ta pluhërosësh derisa pendohet për pyetjet djallëzore
Derisa e kapërdinë fjalën e fundit të gungëzuar qëllimisht jo nga ai por nga të tjerët


DURIMI

Ky durim disi goxha zgjati
Ja unë nuk e mas kohën
Me kandar njerëzie

Ky hapërim disi goxha zgjati
Ja unë nuk e mas vetën
Me kandar njerëzie

Ky vëgim disi goxha zgjati
Ja unë nuk i mas të tjerët
Me kandar njerëzie







10 maj 2007 Prishtinë

KOT

E unë ende pres
të më kaloj ky çast
të cilit ju i thoni jetë
e ta kuptoj njohjen e MADHE
të cilës ju i thoni vdekje
dhe a ka shpirt krijese hyjnore
i cili i thotë vetit këngë e huaj
kumbuese në veshët e trembura
që hapen e mbyllen
Kot

SUKSESI

Suksesi nuk mbështetet në atë që kurrë të mos bësh gabime, por në atë që gabimet e njëjta kurrë të mos i përsëritësh.
George Bernard Shaw

Thenie e kolosit letrar

Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.
Johann V. Goethe

Nga Nektarina- Dy slajde interesante

Nebal

Përballë në largësi ajrore 400 metra në vijen ajrore, dukej një gungë pembe e lisave të porsaçelur. Në këtë distancë, era direkt e mbante në krihët e ndonjë puhize dedikuar që të udhëtoj në zgavrat e hundëve të të zgjuarve, aromat e para që të rrenqëthin lekurrën, e ajo të duket si grihet

Vendosa të shkoj atje e t’i pluhros qepallet me pollen të artë tek lëvizte përfytyronte se si i këndon këngën Përendisë. Paramendo Davidin e trieliumit që në vend të Nebal-it i bie këngës laserike nga Sony minidisc dhe paisjet përcjellese . Natyrisht të incizuar kishte Vollenweider-in “ „peachtree valley“ dhe qëndrontë nën hijen e kurorave pjeshkave të celura ku projekton kenaqësinë shekullore në momentin për të me të lumtur. Fliste me pjeshkat e çelura dhe u premtoi se do të vi çdo fundjavë që ta zbraz dashurinë dha ta absorboj atë nga ato kuptohet me nuancat e tyre florale. Meditimi i këtillë i sjell shërimin tërë qënies duke filluar nga elementet, akashën, magjinë e shpirtit.

Paralelisht e kendoi psalmin e Davidit URATA E DAVIDIT 3

SHIKO ZEMRËN TIME EJA NATËN
ME ZJARR ME SPROVO
POR TEK UNË NUK GJEN DOT PAUDHESI

Dhe psalmin e vetë 99


SHIKO QENIEN TIME ÇDOHERË
ME UJË ZJARR TOKË E AJËR MË SPROVO
TE UNË GJEN ÇDOGJENË TËNDE
TE UNË GJEN ASGJËN NË ÇDOGJE


Ndërsa tingullin e Nebalit të tij e dëgjonte vetëm ai ashtu pastër nga paisja elektronike, ndërsa të metamorfozuar e vibronte për pemishtenë pjeshkës dhe sistemin ekologjik që bashkarisht me të nuhatte aromën e trileniumit dhe aromën e kënaqësisë që frymon me plotësinë e epokës.


VAZHDON









Nebal instrument i vjetër hebrej me tela që lozej me dy duar si harpë.

Psalmet – Urata e Davidit 3 Psalmi 17(10) faqe 278 përkth. Konstantin Kristoforidhi, Vehap Shita







Mbi elementalin

Në praktikën e inicimit sakral, ekziston një mjeshtri e veçantë kreative. Për ta arritur këtë shkallë të inicimit dhe për ta përvetësuar këtë mjeshtri, duhet potëncial i artikuluar në nivel të lartë, ashtu sikur edhe kreativitet, durim, fuqi guximore dhe që të gjitha këto në kohë të caktuar, të përputhur në nivelin evolutiv shpirtëtor. Mjështërit e lashtë dhe të mëdhenjë e kanë quajtur TEKNIKA E KRIJIMIT TË ELEMENTALEVE
Fluturimthi kam përmendur disa herë termin ELEMENTAL por asnjëherë nuk jam detajizuar që ta rrumbullaksoj përshkrimin e domethënies së elementalit. Në fakt elemental është krijesë subtile e krijuar nga teurgu, që drejtëpërsedrejti merr pjesëe në procesin kreatriv kosmik. Forma e tij varet nga kreativiteti i Teurgut. Këtu isha ndalur se përshkruari vetëm e vetëm që të mos e kaloj kufirin e MEZOTERISË pra që ta mos e kaloj kufirin e saj. Një gjë që guxoj të shtoj është se këto janë në shërbimin e tij deri në afat të caktuar.
Procesin e krijimit të Elementaleve e kam filluar qysh herët. Toka në të cilën jetoja ma mundësoi këtë. Në konsultim me filozofët edhe më skeptik nga ata na tha; Hume” që kjo tokë (imagjinata) është një lloj i aftsisë magjike të shpirtit e cila tek gjenitë është çdoherë e përkryer dhe mund të thuhet që kjo është ajo që quhet -gjeni”.
Fillova t’i thithi nektaret nga lulet më të ndryshme tek vonë klitha:

BLETË
Unë
Jam

gjë që ishte një shembull më tipik i poezisë ekstra të shkurtë që atëherë titullova NANOPOEZIA.

Në bisedë me Bimën (nga slajdi MASKA në pjesën e tij të fundit të quajtur TAKIMI I FUNDIT, aty ku flitej për metamorfozën dhe përfundoi deri të imago, rrefeva për elementalet nëpërmjet analogjisë me ikonat kompjuterike dhe mendoj që është shembull me briliantë për ta kuptuar natyrën e Elementalit.

Shtresa e vjetër pakez me thellë që po sikur edhe ajo paraprake e ka humnerën e vet është RREFIMI PËR SLAJDET- Për këto është folur aq shumë sa që konsideroj që këtu nuk ka nevojë të detajizohem në përshkrim të rrumbullaksuar të domethënies për slajdet. Për slajdet kam folur me infratingull në Eonin NUN por në menyrë të artikuluar fola në eonin SHUMËSI E PADUKSHME dhe atë për herë të parë pas shumë proceseve metamorfozike që janë në zhvillim e sipër. Në eonët FRYTI E FARA bëhej transmetimi i drejtpërdrejtë që quhet derdhje direkte apo rrëshqitje pa vetëdije në botën e tekstit.

Krijimi i kosmosit letrar është një proces shumë i nderlikuar. Ajo çka mundet këtu të thuhet, është vetëm shtresë nga të shumëtat të mundëshme. Ndërsa koha e krijimtarisë është diçka që mundet vetëm të imagjinohet.
Kufizimet e çdo lloji/niveli kanë domethënien vetëm në raport me fuqinë kreative të atij që e filloi ta krijoj. Në fjalorin tim haset si LITTERASPACE dhe LITTERAETHER dhe nuk do të thotë se kështu duhet të mbetët. Sa i përket mundesisë dhe mënyres së krijimit mund të diskutohet në ndonjë rast me të volitshëm.




Mbi Hazarët

Nuk do të mirresha fare me Hazarët po të mos më lidhte nyja e gjurmëve për Nektarinën. Për Hazarët do të flas shumë shkurt mos ta ngarkoj qëllimin sepse ai është nisur në rrugë për të gjetur pikërisht atë më të nëvojshmen për vete.

Në përpjekjen e vet që t’i referohet TOKES REALE për çdo hap shkoi dhe siguroi një ATANOR ku shpreson se në mënyrë alkimike do ta gatuaj atë pllakë që e quajnë GURI FILOZOFIK (pllake smagradi).

Ndërsa tani me përcjell me kujdes:

Hazarët i takojnë grupit të fiseve turke të cilët në shekullin e VI themeluan mbretërinë e madhe e cila përfshinte territorin e sotëm të Rusisë Evropiane Juglindore.
Në fillim të shek VII ata u pavarsuan nga mbretëria Turke dhe u ballafaquan me një seri luftërash me Arabët. Kështu me 661 Arabët i detyruan ta lëshojnë Darbentin.
Ndërsa në vitin 720 Arabët dhe Hazarët luftuan në betejën direktë në Armeni. Në vitin 737 ata themeluan kryeqytetin ITIL që ishte i vendosur buze lumit Volga ndërsa malet e Kavkazit i pranuan si kufi i tyre verior.
Në shekullin VIII arritën kulmin e civilizimit të vetë që shtrihej përgjatë bregut Verior të Detit të Zi nga Volga e ulët dhe Deti Kaspik në Lindje në lumin Dniepër në Përendim.
Nën sundimi e vetë i kishin Allanët dhe popujt tjerë të Kavkazit verior ndërmjet maleve dhe lumit Kuba. Magyarët (Hungarezët) që i banonin trevat e lumit Donët. Gotët, kolonitë greke të Krimesë, Volga, Bullgarët dhe një numër të madh të fiseve sllave.

Udhëheqësi shtëtëror me karakter gjysmëreligjioz quhej Khagan. Kthesë në pushtet dhe klasa udhëheqëse kaluan në Judaizëm. Kështu Hazarët u bënë paraardhesit e Hebrenjëve Evropian dhe Rus. Se si kaluan në Judaizëm askush saktësisht nuk mund të tregoj.
Ndikimi i tyre ishte shumë i madh në atë kohë, vecanërisht në Bizant. Kështu argumentohet me faktin se Justiniani II (704) dhe Konstantini V (732) kanë pasur gra Hazare. Ngjashem si Sollomoni që kishte gruan nga familja e Faraonëve dhe ndikimi egjiptas ishte i dukshem në Judenë e asaj kohë.
Ligjdhënësi i Kijevit Svjatosllavi në vitin 965 e mundi fuqinë ushtarake të Hazareve dhe roli i tyre politik në vendet Veriore të Detit të Zi u shua.
Dokumentat historike dëshmojnë civilizimin e tyre dhe kryesisht këto janë dokumentët arabe dhe bizantine, e sa i përket gjuhës hazare, nuk ka mbetur pothuaj asnjë gjurmë.

. . .

Hazarët ishin të njohur për kultivimin e rrushit. Këtë e deshmon ky varg që sipas një versioni është pjesë e Nektarinës në gjuhën Hazare. Vargu e ka këtë përmbajtje:

PELCET SI RRUSHI I PJEKUR NGA MALLI PËR TË DASHUR

Që të plotësohet boshlleku i qëllimit të këtij rrefimi për Hazarët, do të cek se kur në vitin 720 Arabët dhe Hazarët luftuan, një luftëtar Hazar ishte zënë rob nga Arabët. Në traditën arabe që një rob mund të lirohet po që se i mëson shkrimin ose gjuhen e tij se paku 10 Arab, ky Hazar duke konvertuar në Islam dhe përkthyer Nektarinën në gjuhën Arabe, ai u natyralizua dhe jetoi duke u kënaqur në jetën e begatshme të civilizimit të atëhershëm arab. Ky është edhe një variant i hulumtimit të prejardhjes së Nektarinës dhe si ajo erdhi në gjuhën arabe.

DAUT DEMAKU për Librin ELEMENTAL 99

Poezia është vallëzim i tërësisë
Nëpër fjalën e bukur
Si oqeani në një pikë vese
Poetët e mëdhejë kanë
Pikëtakime në vetëtimat e dritës hyjnore
Kur mdodh që tërësia të
Vallëzoj nëpër fjalë, kur ndodh që oqeani të dendësohet në një pikë vese,
atëherë poeti
Transcendohet nga toka, nga
Lulja çel gonxheja dhe vargu
Shndërrohet në aromë, si
Fahredin Shehu në vargjet e këtij libri të mrekullueshëm

Daut Demaku
Shkurt 2006
Prishtinë

Silentium II

Fahredin Shehu
Prishtinë

Silentium II


Pas vitit 2005 me të kthyer nga takimet ndërkombëtare të poezisë në Sarajevo, shumëçka ndryshoi në raport me atë çka ne e emërtonim letërsi, sepse një iluzion më pak kisha, sepse kuptova sa larg ishim dhe sa shtrenjtë na kushtoi izolimi. Nuk do ta fajësoj UNMIK-un as luftën por po e fajësoj mungesën e lirisë shpirtërore atë që Berdjajevi e tejçmonte. Po e fajësoj edhe mungesën e guximit për me e pa vetën në pasqyrën e huaj.
Mjaftë vite na ndajnë nga koha kur Berdjajevi fliste për lirinë . Mjaftë vite po na ndajnë edhe me ata njerëz të cilët krijojnë ndryshe nga ne, jo më mirë por më ndryshe

Josip Osti nga Slovenia më pyet nëse e njoh Radije Hoxhën, Branko Cegec krijues dhe botues nga Zagrebi më pyet kush është kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve në Kosovë, i zbulova dhe e trishtova, sepse ai dot nuk e perceptonte se si Adem Demaci politikan të jetë në krye të shkrimtarëve, pastaj Dara Sekulic më pyet për Teki Dervishin, Adzem Hajdarevic për Ali Podrimen, Luka Paljetak me thotë; kolegë më vjen shumë mirë që në Kosovë kultivohet një poezi e këtillë, ishte poezia Pas heshtjes së gjatë nga përmbledhja ime NUN, me Evan Reil nga SHBA folëm për Gurdijeffin dhe për Rrugën e katërt, Gustav Mejrink dhe legjendën e Golemit të Pragës, Roza Alice Branko nga Portugalia as që dinte ku është Kosova,.

Në një kafe orientale në Mostar shumë afër urës së renovuar që dukej kukull në krahasim me atë që ishte para se ta bombardonin kroatët, kafen BOSANSKA dhe shumë tym duhani shkëmbeva me Shaban Sharenkapiq nga Novi Pazari dhe Radivoj Shajtinac nga Zrenjanini i cili më tregoi se si ishte burgosur tre muaj gjatë regjimit të Millosheviqit vetëm se Vendlindjen e tij Zrenjaninin e quante në original Beçkerek. Edhepse Kodi i Da Vinçit ishte hit në kosovë, ata nuk deshën as të hynë në atë teme por flisnin për Orhan Pamukun, Saramagon dhe Coetzeen.

Natyrisht nga Sarajeva u ktheva me shumë libra veçmas ato të botuara në Zagreb të Bela Hamvasz. Bota letrare atje ishte e njoftuar me tregimin e veçantë të Bela Hamvasz për Silentiumin, një term të cilinë e farkëtoi vet Hamvasz, për konceptin për mua më të njohur si Quietizëm.
Edhe si nocion edhe si përmbajtje do të ishtë një praktikë më e dobishme për secilin ë veçmas për hipersenzitivët që bezdisen kush çka tha? Dhe kush ku shkoi? Për çështjen madhore kombëtare.

Në rrëfimin për procesin e Silentiumit, Bela Hamvasz zbulon mënyrën se si ai e filloi dhe sa zgjati heshtja dhe izolimi i tij. Përgatitja për një përvojë të këtillë nuk do shumë paisje apo angazhim. Në kohërat e lashta ka ndodhur në mënyra të ndryshme , nga askeza totale me celibate e deri tea to periodike , mujore, apo disa ditore.
Tek Bela Hamvasz zgjat njëzetekatër orë dhe gjithë kjo e përcjellur me dietë totale me vetëm pakëz ujë me limon.
Të flitet për rëndësinë e këtij eksperimenti ka mjaftë hapsirë, por sa prej njerëzve sot e praktikojnë këtë, mund të numërohen në gishta tek ne madje jo edhe aq.

Procesi i introspekcionit një doënload total, i kujtesave një pauzë nga rutina, mprehja shqisore dhe përjetimi më cilësor i fenomeneve rutinore, janë vetëm disa nga dukuritë që rezultojnë nga Silentiumi.

Ngadalsimi i metabolizmit dhe hektikës së përditëshme që ndikojnë edhe në zgjatjen e jetës. Për këtë duhet të mendohet. Rreth asaj sesa rëndësi i japim vetvëtës reflektohet më së miri në raportet ndërnjerëzore, sepse ai që nuk kujdeste për shëndetin psikofizik dhe trajtim etik të vetës nuk kujdeset as për të tjerët dhe ska sit a bëj këtë sepse nuk njeh rëndësinë e këtij shëndeti.

Natyrisht me Evan Reil, as me Radivoj Shajtinac, e as me askë këtu në Prishtinë, nuk fola për fenomenine Silentimumit. Thjeshtë e heshta nga droja se po e kontaminoj sistemin e mendimit, shkatërroj iluzionin tjetrit apo hutoj dikë.

Pse pikërisht tani shkruja për Silentiumin është se kam motivacion për ta zbuluar një diçka të dobishme për individin dhe di se fare pak do t’i interesoj dikujt.

Portokalli

PORTOKALLI I SHTRYDHUR ESHTE I IDHET
Nga Fahredin Shehu
"Dita ishte e bukur dhe nje trung pjeshke perplote me fruta te lengshem, donte t'i thyej deget e holla", jep nje pamje te nje endrre ose te fillimit te nje vargu portik. Sa jemi ne poetik eshte pa dhe po shihet dhe kriza te cilen po ia gjuajne lexuesit se nuk lexon, shkrimtaret e sotit (... o ku jeni burra ...?) ka vetem nje kahje. Vallahi duhet me e pyet veten sa jane shkrimtaret ne krize kreativiteti? dhe jo vetem shkrimtaret...
Nje shenje e fuqishme e dekadences se madhe eshte kritika e tepert e secilit kunder secilit andaj edhe ky llaf nuk ka mundur t'i ik kritikes kunder kritikes. Kjo na u paska bere fenotip. Nje kulture e komunikimit te vrazhde me mungese te dashurise. ( Dashuria- te lutem mos lexo; ajo dashuri si afekt i budallakise se pubertetit).
A eshte problemi i Inteligjences, Nderdijes apo Vetedijes se pamoralshme une nuk e di.
Kur me vizitoi nje American Sufi nga Vermonti ( USA) i cili po e ndiqte kursin e teozofise i thash se koha po i shkon kot ndersa Zoti po betohet ne kohen. Kujto Suren e Kur'anit ... Vel asr ine'el-insani le fi husr ... pasha kohen, me te vertet njeriu eshte ne humbje ...
Dhe i tregova se ne Indi ekzistojne tri shkolla te kerkimit, Karma, Bhakta dhe Djana d.m.th. shkolla e Karmes apo veprimit, shkolla e Bhaktes apo dashurise dhe shkolla e Djanes apo diturise. Dhe te trija shkolla kane dhene mjeshter te forte te disciplinave te njohjes se vetes dhe Perendise. Dhe nese neve na duhet urgjentisht dicka atehere ajo eshte shkolla e Bhaktes, qe Ramakrishna te na udhezoj , Rabia el Adaeia te na udhezoj, Mansur Hallajj te na udhezoj, Maister Eckhart te na udhezoj, Por edhe Valtezar Grazian Morales, Erasmi i Roterdamit, Saadi, Attar, e pastaj pse jo edhe Wivekananda, Khut Hoomi, Meher Baba, Osho Rajneesh, Pir Ziya Inayat Khan, Murat Yagan, te cilet jane rebeluar nga turma dhe kane luluar sikur qe lulja rebelohet nga dega dhe lulon duke liruar parfumin e saj, (Eshte ky nje varg nga "Shumesi e padukshme"). Ndersa keta ishin sherbyesit me te medhenje te humanizmit.
Natyrisht cdogje e ka cmimin e vete dhe kjo do ta kete cmimin e vete i cili ka me u pagu shtrenjte. Sepse gjuha e gjate eshte shenje e injorantit jo e elokuentit.
Hazreti Ali thote: "me rritjen e dijes gjuha shkurtohet". Kjo eshte nje zhveshje e domosdoshme si mellef per keto ndjenja te rudhosura kot. Dhe une e di e vecmas kur ma rrefeu Rumi misterin e cmimit i cili me tha peshperitshem " nese e qet kalin ne pazar te pulave ke me e shit me cmim te pules".
Por ekziston nje dhembshuri prej nje plaku te pyjeve te gjelberta i cili shikon me nje dioptri tjeter ama krejt tjeter ne gjerat te cilat po jane duke u ndodhur tek ne. A eshte edhe kjo e mundur? Nese po atehere aferin entitetit kosmik me manifestim te dukshem vetem me thjeshtesi. Prandaj e kuptoj cmimin dhe e di pasojen. Ndersa kete po ta ilustroj me nje SUFI urtesi :
Askush nuk ka mesuar nga une mjeshtrine e gjaujtjes me shtize
E qe nga une nuk e ka bere shenjester.
Kur jemi tek cmimi atehere po e ve edhe kete jo si dekorim por si komplementaritet, dhe jo pse une nuk mund te them dic te ngjashme por sepse nese une e them kete shqip, nuk do te pranohet. Sepse ne nuk pranojme asgje cka vjen nga vetja. Valle a jemi ne si dreri myshk ( Moschus Moschiferus) i poezise se Kabirit dhe Tagores, te cilet duhet te thehemi per ta njohur se ajo erandje po vika prej vete neve. Prandaj sa per te miren e te gjitheve po e ve edhe kete Sufi urtesi:
Dy mjeshter Sufi bisedonin dhe njeri prej tyre,
SIMAB tha:
Do ta shes librin e urtesise per njeqind dukat e disa per kete do te thone se eshte i lire
JUNUS MARMAR iu pergjigj:
Ndersa une do ta jap celesin e te te kuptuarit te tij
Por askush nuk do ta marr, madje edhe falas.
Kjo jep nje parashenje se eshte me mire me hesht se me fol. Zaten edhe cdohere ka qene keshtu por papjekuria e bene nganjehere te veten sikur edhe une timen. Edhe nese thuhet dicka atehere mos te zhvishet si levozhge e idhet.
Ata qe e shtrydhin rrushin fitojne mushtin, ata qe kane durim te presin nga mushti fitojne veren, ata qe e pijne kenaqen ndersa une nuk jam Khajami. Prandaj me mbetet uthulla e atyre qe nuk dijne veren ta ruajne.
Pra vazhdoj te them per te saten here:
Eja te ta rrefej misterin e perditshmerise
Nata ta zhvesh trupin behesh si mejit
Dita ta zhvesh qenien behesh si nefrit
Eja te ta rrefej dashurine e engjellit per njerine
E cka do te ndodhte nese e kisha thene krejt cka ketu fshehet? Natyrisht do ta kishte shijen e portokallit te shtrydhur
8 Janar 2005/www.albnet.gr/

profecia

Fahredin Shehu


PROFECIA E BARDHË PËR DITË TË ZEZA


Hapshëm presim secilin lajm rreth statusit përfundimtar të kosovës. Çkado që do të thotë Ahtisari, Janusz Bugajski, Daniel Server, ngjashëm si në kohën e bombardimeve të NATO-s, pritnim çka thoshte Jeamie Shea, BBC, CNN DW etj. Tani e gjithë kjo po na vjen si përsëritje e etheve të luftës ku nuk na dihet fati.
Kosova ashtu si është diqysh, do të bëhet një vend me status diqysh, sepse edhe ne jemi diqysh.
Që në fillim të UNMIK-ut ashtu edhe në mbarim të tij, u manifestuan fenomenet që për herë të parë ndodhën në botë, prandaj edhe satatusin do ta kemi ashtu si nuk e ka askush në botë.
Veç të reflektojmë rreth UNMIK Travel Document, të cilin ne kemi zakon me i thënë pasaport, do të kuptojmë lekcionin të cilin na e dhanë. Një dokument legal që e lëshon organizata botërore, nuk pranohet në asnjë vend anëtar i po kësaj organizate. Ne po përpiqemi ta zëm një vend në këtë organizatë, por çka nëse e fitojmë? Cili prej shteteve do të na pranoj.

Ne jemi dëshmitar si të paaftë për të udhëhequr, që në fillim të UNMIK-ut. Edhe tani po e vazhdojmë këtë.
I lexuam lajmet për veturat e shtrenjta të ministrave, të telefonatave të shtrenjta të shoferave të tyre, pastaj KEK-u, tenderat dhe shumë e shumë probleme tjera si 17 marsi 2004, tevona ai farë decentralizimi i cili po na vjen absolutisht në kundërshtim më atë vizionin KOSOVA MULTIETNIKE, kurse ai po na del monoetnik, njëfarë autonomie dhe krejt kjo derisa populli bën sehir, tërësisht i hutuar si jetim në kërkim të mbeshtetjes.
E ku? Në cilin skut me u ul?
Në rastin e shpalljes së pavarësisë sërbët do ta inskenojnë egzodin masiv, për të dalur në tituj kryesor të mediave botërore, duke u arsyetuar për mungesë të të drejtave të pakicave, lirisë së lëvizjes etj. Mund të ikin edhe turqit edhe boshnjakët, jo për mungesë të drejtash por për shkaqe ekonomike, ashtu si kanë ikur shqipëtarët gjatë viteve të 90-ta, edhe tani mund të ikin, sepe niveli i korrupsionit, mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik, mungesa e resurseve tjera, do të jenë faktorë te migrimeve. Po ku të shkojnë shqiptarët kur veç në Zvicërr janë, menjëherë pas gjermanëve, francezëve dhe italianëve, apo këtu bashkangjiten pesë million shqiptarë të asimiluar në Turqi, 600 000 shqiptarëve të asimiluar ne Greqi, apo t’u bashkangjiten atyre në Ukrainë. Çka nëse mërgata shqiptare kthehet në Kosovë në numrin e lartëcekur, këtë nuk do të na e lejojnë kurse sërbët flasin për 250 000 serbë të ikur nga Kosova pas përfundimit të luftës. Sa prej tyre ishin milicia, paramilitarë dhe ushtria e Jugosllavisë së parafundit? Dhe kur u flet Ahtisari për krimi-trashigiminë e tyre botërisht të njohur, grupi i tyre negociues, kisha ngrisin zërin, ofendohen, në vend që të pendohen dhe të kërkojnë falje. Gjermania ende i vuan pasojat e nazizmit. Rasti i Gunther Grass-it p.sh. njeriu shkruan autobiografi dhe pendohet që ishte i rekrutuar pa dëshirën e tij e SS, kurse sërbët po i sheh bota se si e inicuan 17 marsin, me vrasjen e fëmijëve shqiptarë dhe askush nuk I ndëshkon por i shpërblen me koncesione. Ndoshta kjo është ajo që i mban ata të forte. Dy Hebrenjë rrahen ne Sërbi nuk ka reagime për antisemitizëm, kurse dy hebrenj të kidnapuar në Lindjen e Mesme, nxisin një luftë të përgjakshme. Absolutisht nuk e përkrah Hezbollahun njëlloj si nuk i përkrah veprimet e qeverisë së Izraelit për vrasjen e civilëve Libanezë.

Njerëzit thjeshtë pyeten si është i mundur Tajvani, Kuvajti, Liternshtajni, San Marino, e Kosova nuk është e mundur.
Njerëzit pyeten pse një figure fetare si Artemije përzihet në politikë dhe e shfrytëzon vakuumin e prijësëve tjerë fetarë ne Kosovë, dhe ende luan me letra se po e mbron krishterimin ne Evropë. Se çfarë muslimanë janë kosovarët e di më mirë Evropa dhe Amerika se sa vetë kosovarët. Unë nuk e kuptoj për çfarë krishterizëm flet Artemije kur priftërinjët e tij i bekonin tigrat e Arkanit për vrasje të fëmijëve shqiptarë në Kosovë ashtu si nuk i kuptoj kamikëzët e Hamasit dhe grupeve të tjera për çfarë islam flasin.

Për çka ka nevojë Kosova?
Kosova ka nevojë për Kosovën, për kosovarët, Kosova ka nevojë për popull dhe të pushojë së ekzistuari si fis, kosova ka nevojë për lidership moral i cili nuk do ta pijë gjakun e popullit, i cili nuk do ti thajë gjepat e popullit, i cili duhet t’i vijë turp se e punon atë që nuk e di, i cili duhet të përkulet për gjakun e dëshmorëve, i cili duhet t’u shtrijë dorë të varfërve, t’u shtrijë dorën minoriteteve, jo pse bashkësia nderkombëtare ua imponon këtë po, pse janë njerëz dhe kanë gjak dhe të njejtën ajër e të njejtat rrezet e diellit i marrin, pse kështu në pozitë e kthejnë nderin e mikëpritjes dhe bujarisë shqiptare, e cila mbahet në mendë vetëm si emër.
Kosovës i duhet feja e jo ketmanet, kosovës i duhet edebi (edukata tradicionale familjare), kosovës i duhet arsimi bashkohorë, kosovës i duhen njerëz të NDERSHËM me germa të mëdha, kosovës i duhet flakja e paragjykimeve, kosovës i duhet rrinia e cila pëlcet nga origjinaliteti si rrushi i pjekur, kosovës i duhet arti i cili buron nga zemra e artisitit e jo ai me t’nime e me t’pame, Kosovës i duhen nënat, të cilat u qesin fëmijëve të tyre guraleca në këpuca për t’i trajnuar dhe për t’i testuar, nëse nuk janë për vete nuk janë edhe për të tjetrë, kosovës i duhet sinqeriteti e jo hamendje e të qenit të sinqertë, Kosovës i duhet dashuria sepse dashuria nuk është mekat edhe pse me kot përpiqen ta bëjnë, Kosovës i duhet nëna t’i tregojë që të pregatitet për menstruacionet, kosovës i duhet baba që ta mësojë para se te hyjë dhëndër, Kosovës i duhet femija që u nis me hënën e plotë dhe krejt në fund kosovës i duhet i zoti i shtëpisë, i cili nuk lun kumon e nuk pi deri sa familja hanë bukë të përvlume me çaj, dhe në fund të krejt-it Kosovës i duhet mëngjesi dhe uji i ftohët sytë me i shpërla, Kosova po e dëshmon se vështirë është me qenë popull sepse këtë e ka huq në shek. e XIX-të.


Çka pas?
Në rast të dramës së ekzodit masiv të sërbëve, shqiptarët më së pakti duhet të gezohen, ndërsa një ngjarje e tillë nuk është larg mendësh, sepse sërbët e kosovës, aq shumë janë të manipuluar nga Beogradi sa s’bën. Zyrtarët e qendrës për koordinim të Kosovës dhe Metohisë, paguhen 3-4 fish më shumë se profesorët e universitetit në Beograd dhe shërbejnë si agjentë për të krijuar klimën e pakënaqësisë tek popullata sërbe e kosovës. Dhe të gjithë këta janë krahu i Koshtunicës, i cili ende jeton në remenishencat e lavdisë së sërbisë së viteve te 90-ta dhe zëri i imët i demkracisë sërbe tek Tadiqi, dhe Qedomir Jovanoniq pothuajse është i padëgjueshëm nga mazhoranca sërbe, e cila ushqehet me predikimet e kishës mediale millosheviqiane të RTS-it.
Është paradoksal fakti se guximi demokratik në Sërbi është shumë feminin ( Biljana Kovaçeviq-Vuço, Sonja Biserko, Natasha Kandiq) dhe një i ri si Qedomir Jovanoviq. Po të ishte gjallë Millosheviqi do ta kishte likuiduar ashtu si e likuidoi mikun familiar Quruviën, por mos likuidimi i zërit demokratik femëror, dëshmon se mentaliteti i ballkanit, femrën nuk e bën hesap dhe si e tillë ajo mbieton për t’u kërcënuar tani kur është uji i turbullt.

Në Zllatibor është i vendosur fshati Kremna dhe në Sërbi disa ribotime të profecive të Kremnës dolën në shesh. Familja Tarabiq nga Kremna, dha dy parashikues të cilët përjetuan vizione të asaj çka po ndodh sot, si; zbulimi i trenit telefonit, sërbisë së vogël e cila do të jetë aq sa të gjithe sërbët do të tubohen nën një dardhë, humbja e Kosovës, lufta e tretë botërore etj, etj. Shumica e sërbëve ishin skeptikë për profecitë e Tarabiqëve të shek. –XIX-të por shumica e profecive u realizua. Meqë po del kështu dhe prej 99-tës, Kosovën nuk e qeverisë Sërbia dhe Kosova po kalon nëpër urën e demokracisë globale, është e natyrshme, se vështirësitë të cilat po i përjetojmë janë tepër të rënda, e para sepse nuk kemi traditë shtetëformuese, mentaliteti i strukturave udhëheqëse nuk është në raport me trendin e zhvillimeve demokratike, përvoja e pakët institucionale dhe trashigimia tradicionale e lidershipit patrenalistikë, pastaj resurse të pashfrytëzuara njerëzore dhe natyrore, mungesa e vizionit për një të ardhme të shëndoshë dhe stabile, mungesa e përvojës për ndërtimin e strategjisë zhvillimore në çdo nivel, për një afat kohor prej dekadash etj.
Bëhu ti ndryshimi të cilin dëshiron ta shohësh në botë- thotë Mahatma Gandi.
Ne mjaftë kemi ndryshuar por nuk guxojmë të mbesim në mes të rrugës.









Fahredin Shehu