Fahredin Shehu
PROFECIA E BARDHË PËR DITË TË ZEZA
Hapshëm presim secilin lajm rreth statusit përfundimtar të kosovës. Çkado që do të thotë Ahtisari, Janusz Bugajski, Daniel Server, ngjashëm si në kohën e bombardimeve të NATO-s, pritnim çka thoshte Jeamie Shea, BBC, CNN DW etj. Tani e gjithë kjo po na vjen si përsëritje e etheve të luftës ku nuk na dihet fati.
Kosova ashtu si është diqysh, do të bëhet një vend me status diqysh, sepse edhe ne jemi diqysh.
Që në fillim të UNMIK-ut ashtu edhe në mbarim të tij, u manifestuan fenomenet që për herë të parë ndodhën në botë, prandaj edhe satatusin do ta kemi ashtu si nuk e ka askush në botë.
Veç të reflektojmë rreth UNMIK Travel Document, të cilin ne kemi zakon me i thënë pasaport, do të kuptojmë lekcionin të cilin na e dhanë. Një dokument legal që e lëshon organizata botërore, nuk pranohet në asnjë vend anëtar i po kësaj organizate. Ne po përpiqemi ta zëm një vend në këtë organizatë, por çka nëse e fitojmë? Cili prej shteteve do të na pranoj.
Ne jemi dëshmitar si të paaftë për të udhëhequr, që në fillim të UNMIK-ut. Edhe tani po e vazhdojmë këtë.
I lexuam lajmet për veturat e shtrenjta të ministrave, të telefonatave të shtrenjta të shoferave të tyre, pastaj KEK-u, tenderat dhe shumë e shumë probleme tjera si 17 marsi 2004, tevona ai farë decentralizimi i cili po na vjen absolutisht në kundërshtim më atë vizionin KOSOVA MULTIETNIKE, kurse ai po na del monoetnik, njëfarë autonomie dhe krejt kjo derisa populli bën sehir, tërësisht i hutuar si jetim në kërkim të mbeshtetjes.
E ku? Në cilin skut me u ul?
Në rastin e shpalljes së pavarësisë sërbët do ta inskenojnë egzodin masiv, për të dalur në tituj kryesor të mediave botërore, duke u arsyetuar për mungesë të të drejtave të pakicave, lirisë së lëvizjes etj. Mund të ikin edhe turqit edhe boshnjakët, jo për mungesë të drejtash por për shkaqe ekonomike, ashtu si kanë ikur shqipëtarët gjatë viteve të 90-ta, edhe tani mund të ikin, sepe niveli i korrupsionit, mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik, mungesa e resurseve tjera, do të jenë faktorë te migrimeve. Po ku të shkojnë shqiptarët kur veç në Zvicërr janë, menjëherë pas gjermanëve, francezëve dhe italianëve, apo këtu bashkangjiten pesë million shqiptarë të asimiluar në Turqi, 600 000 shqiptarëve të asimiluar ne Greqi, apo t’u bashkangjiten atyre në Ukrainë. Çka nëse mërgata shqiptare kthehet në Kosovë në numrin e lartëcekur, këtë nuk do të na e lejojnë kurse sërbët flasin për 250 000 serbë të ikur nga Kosova pas përfundimit të luftës. Sa prej tyre ishin milicia, paramilitarë dhe ushtria e Jugosllavisë së parafundit? Dhe kur u flet Ahtisari për krimi-trashigiminë e tyre botërisht të njohur, grupi i tyre negociues, kisha ngrisin zërin, ofendohen, në vend që të pendohen dhe të kërkojnë falje. Gjermania ende i vuan pasojat e nazizmit. Rasti i Gunther Grass-it p.sh. njeriu shkruan autobiografi dhe pendohet që ishte i rekrutuar pa dëshirën e tij e SS, kurse sërbët po i sheh bota se si e inicuan 17 marsin, me vrasjen e fëmijëve shqiptarë dhe askush nuk I ndëshkon por i shpërblen me koncesione. Ndoshta kjo është ajo që i mban ata të forte. Dy Hebrenjë rrahen ne Sërbi nuk ka reagime për antisemitizëm, kurse dy hebrenj të kidnapuar në Lindjen e Mesme, nxisin një luftë të përgjakshme. Absolutisht nuk e përkrah Hezbollahun njëlloj si nuk i përkrah veprimet e qeverisë së Izraelit për vrasjen e civilëve Libanezë.
Njerëzit thjeshtë pyeten si është i mundur Tajvani, Kuvajti, Liternshtajni, San Marino, e Kosova nuk është e mundur.
Njerëzit pyeten pse një figure fetare si Artemije përzihet në politikë dhe e shfrytëzon vakuumin e prijësëve tjerë fetarë ne Kosovë, dhe ende luan me letra se po e mbron krishterimin ne Evropë. Se çfarë muslimanë janë kosovarët e di më mirë Evropa dhe Amerika se sa vetë kosovarët. Unë nuk e kuptoj për çfarë krishterizëm flet Artemije kur priftërinjët e tij i bekonin tigrat e Arkanit për vrasje të fëmijëve shqiptarë në Kosovë ashtu si nuk i kuptoj kamikëzët e Hamasit dhe grupeve të tjera për çfarë islam flasin.
Për çka ka nevojë Kosova?
Kosova ka nevojë për Kosovën, për kosovarët, Kosova ka nevojë për popull dhe të pushojë së ekzistuari si fis, kosova ka nevojë për lidership moral i cili nuk do ta pijë gjakun e popullit, i cili nuk do ti thajë gjepat e popullit, i cili duhet t’i vijë turp se e punon atë që nuk e di, i cili duhet të përkulet për gjakun e dëshmorëve, i cili duhet t’u shtrijë dorë të varfërve, t’u shtrijë dorën minoriteteve, jo pse bashkësia nderkombëtare ua imponon këtë po, pse janë njerëz dhe kanë gjak dhe të njejtën ajër e të njejtat rrezet e diellit i marrin, pse kështu në pozitë e kthejnë nderin e mikëpritjes dhe bujarisë shqiptare, e cila mbahet në mendë vetëm si emër.
Kosovës i duhet feja e jo ketmanet, kosovës i duhet edebi (edukata tradicionale familjare), kosovës i duhet arsimi bashkohorë, kosovës i duhen njerëz të NDERSHËM me germa të mëdha, kosovës i duhet flakja e paragjykimeve, kosovës i duhet rrinia e cila pëlcet nga origjinaliteti si rrushi i pjekur, kosovës i duhet arti i cili buron nga zemra e artisitit e jo ai me t’nime e me t’pame, Kosovës i duhen nënat, të cilat u qesin fëmijëve të tyre guraleca në këpuca për t’i trajnuar dhe për t’i testuar, nëse nuk janë për vete nuk janë edhe për të tjetrë, kosovës i duhet sinqeriteti e jo hamendje e të qenit të sinqertë, Kosovës i duhet dashuria sepse dashuria nuk është mekat edhe pse me kot përpiqen ta bëjnë, Kosovës i duhet nëna t’i tregojë që të pregatitet për menstruacionet, kosovës i duhet baba që ta mësojë para se te hyjë dhëndër, Kosovës i duhet femija që u nis me hënën e plotë dhe krejt në fund kosovës i duhet i zoti i shtëpisë, i cili nuk lun kumon e nuk pi deri sa familja hanë bukë të përvlume me çaj, dhe në fund të krejt-it Kosovës i duhet mëngjesi dhe uji i ftohët sytë me i shpërla, Kosova po e dëshmon se vështirë është me qenë popull sepse këtë e ka huq në shek. e XIX-të.
Çka pas?
Në rast të dramës së ekzodit masiv të sërbëve, shqiptarët më së pakti duhet të gezohen, ndërsa një ngjarje e tillë nuk është larg mendësh, sepse sërbët e kosovës, aq shumë janë të manipuluar nga Beogradi sa s’bën. Zyrtarët e qendrës për koordinim të Kosovës dhe Metohisë, paguhen 3-4 fish më shumë se profesorët e universitetit në Beograd dhe shërbejnë si agjentë për të krijuar klimën e pakënaqësisë tek popullata sërbe e kosovës. Dhe të gjithë këta janë krahu i Koshtunicës, i cili ende jeton në remenishencat e lavdisë së sërbisë së viteve te 90-ta dhe zëri i imët i demkracisë sërbe tek Tadiqi, dhe Qedomir Jovanoniq pothuajse është i padëgjueshëm nga mazhoranca sërbe, e cila ushqehet me predikimet e kishës mediale millosheviqiane të RTS-it.
Është paradoksal fakti se guximi demokratik në Sërbi është shumë feminin ( Biljana Kovaçeviq-Vuço, Sonja Biserko, Natasha Kandiq) dhe një i ri si Qedomir Jovanoviq. Po të ishte gjallë Millosheviqi do ta kishte likuiduar ashtu si e likuidoi mikun familiar Quruviën, por mos likuidimi i zërit demokratik femëror, dëshmon se mentaliteti i ballkanit, femrën nuk e bën hesap dhe si e tillë ajo mbieton për t’u kërcënuar tani kur është uji i turbullt.
Në Zllatibor është i vendosur fshati Kremna dhe në Sërbi disa ribotime të profecive të Kremnës dolën në shesh. Familja Tarabiq nga Kremna, dha dy parashikues të cilët përjetuan vizione të asaj çka po ndodh sot, si; zbulimi i trenit telefonit, sërbisë së vogël e cila do të jetë aq sa të gjithe sërbët do të tubohen nën një dardhë, humbja e Kosovës, lufta e tretë botërore etj, etj. Shumica e sërbëve ishin skeptikë për profecitë e Tarabiqëve të shek. –XIX-të por shumica e profecive u realizua. Meqë po del kështu dhe prej 99-tës, Kosovën nuk e qeverisë Sërbia dhe Kosova po kalon nëpër urën e demokracisë globale, është e natyrshme, se vështirësitë të cilat po i përjetojmë janë tepër të rënda, e para sepse nuk kemi traditë shtetëformuese, mentaliteti i strukturave udhëheqëse nuk është në raport me trendin e zhvillimeve demokratike, përvoja e pakët institucionale dhe trashigimia tradicionale e lidershipit patrenalistikë, pastaj resurse të pashfrytëzuara njerëzore dhe natyrore, mungesa e vizionit për një të ardhme të shëndoshë dhe stabile, mungesa e përvojës për ndërtimin e strategjisë zhvillimore në çdo nivel, për një afat kohor prej dekadash etj.
Bëhu ti ndryshimi të cilin dëshiron ta shohësh në botë- thotë Mahatma Gandi.
Ne mjaftë kemi ndryshuar por nuk guxojmë të mbesim në mes të rrugës.
Fahredin Shehu
No comments:
Post a Comment