Wednesday, May 02, 2007

Publicistikë

SUFI KALIGRAFISTI
Shkrimtari i lidhur me traditën ezoterike të orientit, Fahredin Shehu,
flet për dashurinë e tij ndaj Perëndisë, poezisë dhe kaligrafisë.


Alfred Beka
alfred.beka@gazetaexpress.com

Prishtinë, 13 prill — Arti i kaligrafisë dhe poezia mistike shpirtërore janë pak të kultivuara në Kosovë, për të mos thënë aspak. Përpos Fahredin Shehut, me këto arte nuk merret kush tjetër. Kjo e bën të veçantë Fahredinin, i cili pohon të jetë rritur në traditën sufi, andaj edhe është një adhurues i flaktë i misticizmave, jo vetëm të religjioneve abrahamike, siç janë judaizmi, krishterimi dhe islamizmi, të cilat ai i quan religjione perëndimore - për nga aspekti I filozofisë së religjioneve - por edhe i zen budizmit, kaabalës, alkimisë, yogës, etj.
Derisa fliste për Express, Fahredin Shehu tregonte se me shkrime ka filluar të merrej që në vitin 1990, ndonëse frytet e para i pa në vitin 1996, me librin “Nun”, i cili, siç theksoi ai, ishte libri mbase më i papranuar i asaj kohe. “Në atë kohë ishim në turbulence politike dhe njerëzit shumë pak kishin shqisa për të ndijuar apo perceptuar një poezi transcendentale, një poezi mistike, një poezi që i përket psikologjisë personale, nëse flasim me fjalor shkencor”, shpjegonte Shehu. Frymëzimin për poezinë e tij Shehu e gjen tek Perëndia dhe tek vetvetja, sepse çdo njëri, sipas tij, ka diçka që mund ta thotë, por edhe mjeshtërinë për ta artikuluar atë. “Është një thënie hebraike, që thotë se sa më shumë që e shtrydh ullirin aq më shumë vaj nxjerr nga ai. Në situatat më të vështira shpirtërore njeriu është në gjendje të krijojë gjithçka”, shprehej ai. Rrjedhimisht, ai thotë se frymëzimi vjen vetëm prej Perëndisë dhe vetëm prej angazhimit të një krijuesi, i cili dëshiron ta artikulojë atë. Ndërkaq për kaligrafinë, Shehu pohon se mundohet që poezinë ta kristalizojë në formë të pikturës. Poezia për të duket shumë fluide, diçka shumë virtuale. Kjo është dëshmuar në Kajro, në vitin 2004 kur ai e ka pasur ekspozitën me kaligrafi, të punuar edhe në papirus, pra një medium shumë interesant, që një evropian të prezantohej në Kajro. Kaligrafia te poezia e tij ka vetëm rolin funksional, sepse ai nuk zbukuron shkronja vetëm sa për ta plotësuar një zbrazëtirë, por poezi e lindur aty për aty bëhet kaligrafi, bëhet pikturë d.m.th. është njëfarë procesi alkimik, i cili nga fazat fluide e kristalizon një ide, një koncept, një frymëzim dhe del në trajtë të pikturës. Përpos kësaj, karakteristikë tjetër e poezisë së tij është se Shehu nuk shkruan poezi patriotike, e as erotike. “Nëse shkruaj poezi erotike atëherë ajo është lirikë shpirtërore, d.m.th. dashuria ndaj Perëndisë, dashuria ndaj qenies njerëzore, dashuria ndaj gjithë asaj që na rrethon, që është ekzistuese dhe manifestohet qoftë në planetin tonë, qoftë në kozmos”, thotë Shehu, autor i librit “Nektarina”. Në organizim të Qendrës për promovimin e dialogut mes kulturave lindore dhe perëndimore, ‘OXOR’, të enjten mbrëma u organizua një mbrëmje poetike me poezi të Fahredinit. Ai tregon se Qendra është themeluar në janar dhe qëllimi i saj është shndërrimi I Kosovës në një vendtakim të njerëzve nga lindja dhe perëndimi, me qëllim të krijimit të një dialogu, marrë parasysh ndeshjen e civilizimeve që po ndodh, e që për Shehun është më tepër ndeshje kulturash dhe mosnjohje reciproke e kulturës lindore dhe perëndimore. Meqenëse Kosova edhe gjeografikisht ndodhet diku midis lindjes dhe perëndimit, dhe meqë edhe për nga aspekti shpirtëror jemi midis lindjes dhe perëndimit, Shehu e ka parë të arsyeshme që pikërisht në Kosovë, përmes kësaj Qendre, të sjellë njerëz të profileve të ndryshme, të kulturës, të artit. Krejt kjo me qëllim që gjatë komunikimit të krijohet një dialog dhe një paqe në botë. “Ne kemi kontakte me shumë njerëz jashtë Kosovës, dhe pikërisht do t’i sjellim ata njerëz në Kosovë po me këtë qëllim”, tha Shehu. Midis njerëzve të famshëm që synohet të sillen në Kosovë janë Dalai Lama dhe Nelson Mandela. Ndër shkrimtarët që kanë ndikuar më së shumti të ai janë Xhelaludin Rumi dhe poetët persian, pastaj Khalil Gibran, një poet i krishterë arab i Libanit, por edhe poetët anglez, William Blake dhe John Milton. Me një fjalë, Shehu thotë se te ai kanë ndikuar të gjithë ata që i takojnë poezisë lirike shpirtërore. Në rrethet letrare kosovare thotë se nuk është i pranuar si duhet. Nuk është anëtar I Lidhjes së Shkrimtarëve e as i Pen Qendrës. Edhe atëherë kur e ftojnë në ndonjë manifestim, thotë se nuk shkon, sepse njerëzit, sipas tij, thjesht tronditen me një poezi, e cila është krejt ndryshe nga ato që jemi mësuar t’i lexojmë, t’i dëgjojmë apo t’I përjetojmë. Për këtë arsye ai është më i pranishëm dhe i përkthyer jashtë Kosovës. Shkrimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës. “Në suedisht janë përkthyer disa poezi, romani ‘Nektarina’ është duke u përkthyer në Beograd dhe Izrael, ndërsa ‘Elemental 99’ po përkthehet në Sarajevë. Besoj që kjo nevojë e njerëzve për të lexuar diçka shpirtërore, diçka shumë refleksive, po shfaqet përmes këtij interesimi jashtë Kosovës”, shprehet Shehu. Shija për poezinë mistike është shumë intime dhe njerëzit sa here që e lexojnë e përjetojnë ndryshe, pohon Shehu, derisa tregon se aktualisht punon në një projekt me një amerikan, duke e përgatitur librin “Clash of Civilisations”, i cili flet për luftën e tretë botërore dhe profecitë e familjes serbe Tarabic, të shekullit nëntëmbëdhjetë. “Libri është në frymën e realizmit magjik, flitet për profecitë e familjes Tarabic, e cila e parashikonte rënien e Serbisë, ndarjen e Kosovës, zbulimin e telefonit dhe zbulime tjera, ndonëse përmendej edhe Lufta e Tretë Botërore dhe Lufta e Madhe – e cila do të ndodhë pas Luftës së Tretë Botërore, diku rreth vitit 2045”, shpjegon Shehu. Mirëpo, në kontekstin e asaj çfarë ka ndodhur dhe çfarë pritet të ndodhë, ai mendon se ne tashmë jemi dëshmitarë, andaj edhe beson se ky libër do të jetë shumë i suksesshëm, sepse për të është duke u konsultuar në pesë universitete në Amerikë. Shehu është edhe anëtar I Shoqatës Ezoterike të Universitetit Iowa. Kjo organizatë merret kryesisht me publikimin e materialeve dhe me hulumtimin e misticizmit, kështu që kjo është ajo që e lidh Shehun me të, ngase aty studiohet shpirtënia - qoftë ajo lindore apo ajo perëndimore.

No comments: