Thursday, January 24, 2013



Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica- veprimtar fetar, politik dhe ushtarak





1893-1945









Kumtesë

Fahredin Shehu

23. nëntor 2012

Rahovec



Hyrje


Në vitin 2002, kur për herë të parë e takova profesoreshën e Universitetit të Harvardit, Akademik Karmit Zysman, e cila vepronte në Kosovë me OJQ më qëllim të themelimit të muzeut për fëmijë, zhvilluam një bisedë shumë interesante për vlerat dhe trashëgimin kulturore të Kosovës. Atëbotë ajo më pat thënë se, Prizreni është si Jerusalemi, ndërsa Rahoveci si Hebroni, në kuptimin se, bukuria dhe trashëgimia kulturore në Prizren është jashtë dhe shumë e dukshme, ndërsa në Rahovec duhet të gërmohet dhe të zbulohen misteret e tij. Në këtë kontekst dëshiroj ta vë në pah kontributin e Haxhi Kadri Ef. Durgutit në zbulimin e kalasë së Dumanit për, të cilën unë kisha shumë pak informacion, dhe ajo që është e dukshme në Rahovec, për mua ishin Xhamia e Qarshisë, Teqetë dhe Sahat kulla. Këtë e them në kontekstin e trashëgimisë kulturore, dhe vlerës së dukshme arkitekturore.

Përkitazi me këtë tubim dhe gjithë asaj që thash më lartë kam qëllimin të prezantoj figurën e Hafëz Mulla Jusuf ef. Korenica, për të cilin nuk kam has ndonjë të dhënë të publikuar ku do të referohesha. Andaj të dhënat burimore për këtë kumtesë vijnë nga familjarët respektivisht nga trashëgimtarët e Mulla Jusufit, Z. Xhemajl Korenica si dhe të dhënat nga Teqja e Halvetive në Rahovec. Dhe këtë për arsye të:
1.      publikimit të vlerave shpirtërore dhe patriotike, të cilat janë kultivuar në Rahovec, në periudhën para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore;

2.      zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare tek gjeneratat që vijnë, për figurat e ndritura të kombit, të cilët janë sakrifikuar për kombin dhe atdheun;

3.      frymën e tolerancës e cila ka ekzistuar dhe ekziston në Rahovec.

Mulla Hafiz Jusuf Ef. Korenica veprimtar fetar, politik dhe ushtarak

Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica[1], i biri i Abdurrahman Korenicës, ka qenë veprimtar i shquar politik dhe ushtarak. U lind më 1893 në Rahovec. Mësimet e para i mori në Rahovec dhe më vonë vazhdoi shkollimin në Medresenë e prizrenit ku qëndroi nga viti 1908 e deri më 1920. gjatë kësaj kohe e kryen edhe Hifzin (të mësuarit përmendësh të tërë Kur’anit- librit të shenjt Islam).

Pas okupimit të Kosovës nga Serbia, respektivisht prej vitit 1913 ai si medresant merret me veprimtari politike bashkë me medresantë dhe shokë tjerë të prizrenit dhe rrethinës si: Omer Lutfi Paçarrizi, Mulla Ahmet Prizreni, Mulla Haki Opoja etj.
Pas përfundimit të shkollimit ka punuar si imam në xhamit e Rahovecit, ndërsa si kryeimami i komunës së Rahovecit ka shërbyer prej vitit 1930 deri në vitin 1944.

Veprimtaria e tij politike dhe bashkëpunimi me veprimtarë politik nga Prizreni dhe trevat tjera shqiptare nuk ndalet. Derisa ushtroi detyrën e kryetarit të bashkësisë islame më 15 mars 1943 në Myftydaire (ndërtesa e bashkësisë islame e rahovecit, e cila dikur ishte në objektin e tanishëm të Shtëpisë së kulturës Mensur Zyberaj në Rahovec), zgjidhet edhe udhëheqës politik i qytetit të rahovecit ku morën pjesë edhe shumë veprimtarë tjerë si: Destan Kërçagu, Imam Musa Shehu, Murat Tahiraga, Hoxhë Ibrahim Durguti, Mulla Vesel Durguti, Ramadan Durguti, Shaip Haxhijaha, Bejtullah Shehu, Hamëz Sylka, Ahmet Haxhibeqiri, BEjtush Haxhijaha etj. Në këtë tubim u aprovua plani politik për mbrojtjen e rahovecit dhe rrethinës. Këtu zgjidhen edhe dy anëtarë të keshillit të ngushtë të mbrojtjes në shtabin kryesor: Murat Tahiraga dhe Destan Kërcagu.
Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica, ka pasur kontakte edhe me veprimtarë e atdhetarë të shquar të Kosovës, njëri prej tyre ishte edhe takimi në verën e vitit 1943 me Shaban Polluzhën dhe luftëtarët e tij në odën e  Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica.
Gjatë një mbledhjeje, në vitin 1943 në shtëpinë e Ahmet Prizrenit, ku ishin të pranishëm shumë veprimtarë politikë për çlirimin e atdheut, ishte i pranishëm edhe Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica, në mbrëmje në ora 23:00, në oborrin e Ahmet Prizrenit, në pritë e vrasin sllavokomunistët Ahmetin me bashkëpunëtor vendor.
Më 8 shkurt të vitit 1944 me lejen e Sheh Myhedinit[2], në Teqen e Halvetive në Rahovec, u mbajt mbledhja për zgjedhjen e komandantit ushtarak për mbrojtjen e atdheut si dhe plani operativo- ushtarak për mbrojtje. Në këtë mbledhje morën pjesë; Sheh Muhedin Shehu, Murat Tahiraga, Imam Musa Shehu, Shaip Haxhijaha, Sylejman Haxhimustafa, Sylejman Shehu, Jakup Shehu, Sedullah Shehu, Metush Vuçitërna, Ibrahm Hoxhë Durguti, Mulla Vesel Durguti, Destan Kërçagu, Ramadan Sharku, Hajredin Vuçitërna, Muharrem Sylka, Halit Haxhijaha, Bejtush Haxhijaha etj. Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe qytetarë të rahovecit dhe të rrethinës.
Një javë pas zgjedhjes si komandant, Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica, në Myftydaire të rahovecit, u zgjodhën edhe Sheh Myehdin Shehu, Destan Kërçagu, Murat Tahiraga Qerim Rexha etj., dhe pas kësaj formohen edhe dy shtabe operative; një në Xërxë dhe një në Rogovë.
Në fillim të luftës inkuadrohen 219 ushtar, por më vonë numri vjen e shtohet. Rreziku nga sllavo-komunistët vinte nga Gjakova, dhe në Xërxë u zhvilluan luftimet e ashpra deri në Urën e Shejtë si dhe në Rogovë të Hasit.
Këta vazhdojnë të rezistojnë deri më 18 nëntor 1944, ku pasi që e tërë Kosova ra nën pushtimin sllavo komunist, rezistenca më nuk kishte kuptim.
Pasi që u thye rezistenca, komunistët me bashkëpuntorë të tyre e burgosën Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica dhe shuam ushtarë e bashkëveprimtarë tjerë. Një pjesë e tyre u arratis por kishte edhe të atillë që fshiheshin nëpër male dhe qytete tjera erisa zgjati operacioni i burgosjeve.
Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica, burgoset më 28 nëntor 1944 ku më pastaj edhe ekzekutohet së bashku me ushtar dhe veprimtarë tjerë, kryesisht gjatë natës. Kjo zgjati nga 25 janari 1945 deri më 25 shkurt 1945. Ndër të ekzekutuarit ishin : Hoxhë Jusuf Korenica, Nahit Haxhivehapi, Destan Kërcagu, Sinan Hajda etj. Kufomat e tyre janë varrosur në së paku tre varreza masive të qytetit të rahovecit.

 
Konkluzioni dhe rekomandimet

            Ndonëse nuk janë të paktë figurat dhe njerëzit, të cilët kanë kontribuar për çështjen kombëtare në komunën e rahovecit, roli i Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenicës mbetet monumental duke pas parasysh jo vetëm rrethanat shoqëroro-politike por edhe ato  sociale në një periudhë shumë të vështirë për ekzistencën biologjike të shqiptarëve në këto treva.

Flijimi i tij e rradhit atë në mesin e dëshmorëve/ shehidëve për kauzën fetare dhe kombëtare dhe kjo është një fakt që duhet të mbahet gjatë në ndërgjegjen dhe subkoshiencën jo vetëm të banorëve të rahovecit por edhe të mbarë popullit shqiptar.

Intelektualet e rahovecit duhet të punojnë më shumë në ndritje të figurave të tij, me qëllim të kultivimit të ndjenjës kombëtare, respektit për njerëzit, të cilët janë sakrifikuar për këtë truall, si dhe që, të mos hidhen në harresë njerëzit dhe vlerat, që ne si komb jemi duke i kultivuar brez pas brezit.

Rekomandimet tona janë si në vijim:

1.      nëse Këshilli i Bashkësisë Islame ka ndonjë plan që të themelohet një Medrese, në një të ardhme të afërt, atëherë një Institucion i tillë do të duhej të emërtohej me emrin e ndritur të Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica;

2.      të ngritet një pllakë përkujtimore për të gjithë bashkëveprimtarët e Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica e shoqëruar me një bust të Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica;

3.      që një rrugë e rahovecit ta mbaj emrin e Hafëz Mulla Jusuf Ef. Korenica




[1] Të dhënat biografike dhe të dhënat tjera për Hafëz Mulla Jusuf ef. Korenica, janë ofruar nga i biri i Haxhi Xhemajl Korenica.
[2] Këto të dhëna janë ofruar nga Ilvi Shehu, i biri i Sheh Myhedin Shehu, rahmet pastë, martir i luftës së fundit në Kosovë. 

No comments: