Monday, January 28, 2013

"Një pikë shi", Poezi, autor, Tahir Hoxha- Recension nga Fahredin Shehu





Të shkruarit e poezisë në kohët e vështira  është dëshmuar se ka dhënë qenësinë e poetit në cilën do epokë. Edhe sot kjo nuk është përjashtim, pavarësisht se mënyra e artikulimit, metodologjia e shkrimit dhe mjetet me të cilat ajo transmetohet dallon shuam nga epokat e mëhershme.
Ky libër elektronik ka qëllimin që të arrij lexuesin me mjetin më të përshtatshëm si nga aspekti kohor të distribuimit të tij ashtu edhe për kah aspekti ambiental sepse libri elektronik është miqësisht i orientuar kah ambienti në të cilin jetojmë e i cili dita ditës gjithnjë e më shuam është duke u shkatërruar nga dora e njeriut.

Libri që e keni nëpër duar i Tahir Hoxhës, “Një pikë Shi”, është edhe një argument më shumë për keq- menaxhimin e distribuimit të librit dhe subkluturën e krijimtarisë letrare të falsifikuar e cila është shndërruar në normë.

Po kthehem tek vargu per se i Tahir Hoxhës i cili në kuintesencën e tij artikulohet në një gjuhë me tone herë herë pesimiste si refleksion i ambientit agresiv në të cilin ndodhet poeti, vrazhdësia e jetës dhe fatit dhe pamundësia në momente të caktuara për t’u ndryshuar ajo. 


“asgjë nuk është në dorën tonë përveç çastit që e jetojmë
tash këtu
ky çast ikanak si erë e trazuar shkretëtire”
dhe në vargjet:

“edhe fëmijëve u mora fëmijëri me qira
dhe shokë të lagjes në huazim
secila ditëlindje i gjente në adresë të re”


Figurën stilistike të Pasqyrës, e cila si objekt gjithmonë ka asocuar çiltërsinë, Tahir Hoxha e konsumon në relacion me vetveten ndërsa vargjet e mëposhtme cytin lexuesin, që secili ta shikoj vetveten dhe në kërkim të saj të gjej ndonjë të njohur të cilin mund ta përshëndes. Kjo është një refleksion i gjendjes morale të shoqërisë kur njeriu lere se nuk i njeh më të tjerët por fillon ta harroj edhe vetveten. Më herët kam shkruar, “ i mjerë është ai i cili të vetmin mik e ka atë që e sheh në pasqyrë. Kjo ndodh me skeptikët ekstrem dhe me të dëshpëruarit ekstrem. Në rastin e Tahir Hoxhës, ai shëmbëllim, i cili shihet në pasqyrë është poeti i cili është tëhuajsuar në masë aq ekstreme sa që vetën e sheh si të huaj dh me mjeshtri luan me konceptin e kohës në relacion me njeriun.


“në pasqyrë
shpesh e shoh një të huaj dhe
gjithmonë harroj ta përshëndes...”

ky libër ka përmbledhur vargjet, të cilat rrumbullakojnë një kohë goxha të gjatë dhe ku manifestohen të gjitha preokupimet e autorit. Relacioni me njeriun i cili personifikon një mik të çmuar, shprehet me patos të thellë, duke e ngushëlluar mikun e ndjerë se defekti i tij i lindur po përpjesëtohet me defektin e vet, e të cilin është duke e vuajtur ende.


“e unë, Cani, miku im
kam lindur me një defekt të pashërueshëm në shpirt
ndaj ta shkruaj nga kjo botë
këtë letër me lotë
(edhe pse e di që s’do ta lexosh kurrë)”

Poezia e Tahir Hoxhës karakterizohet me emocion të thellë në relacionin, Njeri- Ambient- Psikologji personale- Krijim. Është një varg, i cili nuk përpiqet me dhunë të bëhet varg por kristalizimi i natyrshëm i fluidit kreativ. Impulset, respektivisht kapja e këtyre impulseve kreative është realizuar me shumë sukses dhe fundja i mbetet lexuesit që në pasqyrën e zemrës së tij të gjej një të njohur dhe mos të harroj ta përshëndes ashtu si iu referua autori me vargjet antipod të shprehive tona por në mënyrë andragogjike na mëson dhe na kursen me pak fjalë që nëse Unë e shoh një të panjohur ju e shihni dhe mos harroni ta përshëndetni. Kështu mund të deshifrohet midis- rreshti si leksion didaktik i kësaj poezie. Ku eksiton edhe në gegë te KANGA QË S’U SHKRUE, dhe pëlcet me gjithë potencë si shegë e pjekur.


Fahredin Shehu

Janar 2012,
Prishtinë


No comments: