©Fahredin Shehu
Ekzistojnë një sërë elementesh në kokën e njeriut
kreativ, të cilat kanë marrë emërtimet e ndryshme si laborator kreativ, e shumë
të tjera, sikur do me çdo kusht të mohohet prejardhja divine e frymëzimit- xixë,
e cila vetëm sa prêt ta gjej një karburant- energji kreative që të ndez flakën
blu. Kur them flakën blu kam parasysh një fenomen të pashpjegueshëm dhe pa
ndonjë emërtim të parapërcaktuar, i cili cyt një intelekt aktiv dhe e shtyn në
një dimension tjetër, natyrisht jo me prejardhje tokësore, atë mallimin për
unifikim me kuintesencën e vet si refleksion i ciklit kreativ hyjnor, i cili po
shtrihet në kohën, hapësirë dhe dimensione ende të pazbuluara nga ne.
Vet fillimi i këtillë i një diskursi tingëllon shumë
filozofik ç’gjë çdoherë jam përpjekur ta shmang nga një sqarim, i cili do ta
gjente lexuesin e mirëfilltë të këtij kodi. Fjala është për krijimin e një
vokabulari të kuptueshëm një lloj diskursi profetik, i cili dallon nga ai
filozofik dhe më mirë komunikon me receptuesin se sa me nivelet e larta
akademike. Profeti flet në gjuhën e kuptueshme ndërsa filozofi me vokabular të
sofistikuar sikur do që ta ruaj atë flakën parahistorike vetëm për vete dhe të
ngjashëm si vet. Së paku kështu mendohej dikur dhe kështu bëhej dallimi mes
Profetit dhe Filozofit ku që të dy komunikojnë me fjalë.
Mbetem tek “Fjala” si shenjë, e cila komunikon me gjerë
se formulat e ndryshme apo simbolet e kodifikuara. Sot fjalës i ndodh një dhunim i paparë dhe më
grotesk i mundshëm në emër të lirisë së saj, sepse sikur është hapur një kuti e
errët apo bombole, e cila evaporon gjithë erandjen e saj dhe në eter kalbet
duke u përzier me reagens të ndryshëm. Çka duam ta mbajmë në mend atë e mbajmë
në mend si segment apo madje edhe si tërësi, e cila e mbush atë zbrazëtirë, të
cilën e konsiderojmë se, e kemi dhe të gjitha diskurset tjera komplementare
avullojnë tek sa na duket…; në pa kthim.
Në veprimtarinë kreative poetike, zgjidhjet duhet të
gjinden tek evokacionet e arketipave
letrare të ngarkuara me pamje tona dhe aroma nostalgjike nga kornukopia
e manifestimeve vizuale dhe të zhveshura në fluide të dukshme, gjysmë të
dukshme dhe të padukshme, instant- imazheve agresive, dhe kapërcimi i këtyre
nga një trajtë, repromaterial, në produkt të rafinuar, i cili është i gatshëm
edhe ta mohoj autorësinë. Këtë e them në kontekstin e “Libri i Mirdad” të
Mikhail Naimy, dhe akëcili, që e lexoi këtë libër, e kupton për çka e kam
fjalën. Ky libër paraqet tërësinë kreative të autorit, i cili zor se shkroi
ndonjë libër tjetër dhe zor se ka ndonjë libër tjetër ku në këtë mënyrë Libri
është arketip i Autorit apo anasjelltas. Ndërsa Mikhail Naimy përcolli kursin
nga anonimusi Zanatli në Anonimusin Artist sakral, i gatshëm në mënyrë Sokratike ta shlyej madje
edhe emrin e vet. Tek ne mbetet të zgjedhim nëse e duam një letërsi të këtillë
apo një antipod të tij siç është Paulo Coelho, i cili di të zhytet vetëm në
humnerën e sipërisë së Urtësisë kosmike. Ende jemi tek Letërsia si
beletristikë. Kundruall kësaj janë edhe disa shkrimtarë, të cilët komplekset,
tronditjet e fëmijërisë, mllefin dhe urrejtjet
e veta ia veshin karaktereve nëpër romane, pastaj në intervista pas
botimit të veprës së caktuar e shfaqin një tjetër fenomen, atë të provokimit me
qëllim që të mbulohen sa më shumë medialisht, veçanërisht kur këto përcillen me
gjykime nëpër gjykata dhe reagime të një grupi më të madh njerëzish. E gjithë
kjo për ta tërhequr vëmendjen më të madhe duke shfrytëzuar madje edhe teatralen
madje edhe këtë vetëm në aparencë.
Largimi nga masa, shkrimi i veprave eternale pa autorësi
apo vepra të pabotuara, të cilat përfundojnë në flakët e skamjes shpirtërore
tani pothuaj është i pamundur. Doemos masa duhet ta kërkoj poezinë. Ta kërkoj
Poezinë madje edhe në prozë. Ajo shkruhet për të, nuk duhet autori ta gjej
kodin e komunikimit. Masa duhet të komunikoj me autorin, masa duhet të
begatohet, ta begatoj shijen e vet me
frytin e izolimit dhe të vuajtjes së autorit. Nuk ka lindje pa dhimbje. Frika
nga vdekja është frika prej lindjes së re, e cila është e dhimbshme, ndërsa
frika nga mungesa e të qenit i dashur për dikë e detyron njeriun të martohet
dhe të bëj fëmijë, që gjithmonë të ketë dikë, që ta dojë.
Poeti i oborrit mbretëror, poeti profet, poeti i shenjtë,
poeti i klubeve poetike- letrare, poeti i salloneve diplomatike, poeti i
izoluar, poeti ideologjik, poeti historik ka vdekur. Jo tek ne!!!
Më shumë se tendenca për ndryshim Arti sakral vepron për
ta krijuar të bukurën si Qenie, sepse gjërat që nuk ndryshojnë gjatë të gjitha
epokave njerëzore janë; zemra, dashuria, njerëzore për të gjithë dhe tendenca
për arritje hyjnore dhe këtë shumë bukur e artikulon Chagall.
“Çdo gjë mund
të ndryshohet në botën tonë të demoralizuar përpos zemrës, dashurisë njerëzore
dhe tendencave të tij, që ta njoh hyjnoren. Piktura ashtu si edhe e tërë poezia
është pjesë e hyjnores; sot këtë njerëzit e përjetojnë njëlloj sikur atëbotë”, thotë Marc Chagall.
Nuk është vonë dhe ndoshta tamam të thuhet se koncepti i
Rudolf Otto-s, Numinositeti është dinamika e cila i nevojitet krijuesit të
kohës sonë, qoftë në, Pikturë, Instalacion, Modë etj. Dhe veçmas në Letërsi.
Për Numinositet, duhet të kihet më shumë liri individuale dhe atë kolektive.
Kandinsky në një vend thotë; “Secilës epokë i është dhuruar sasia individuale e lirisë artistike, dhe
as gjeniu më kreativ nuk mund ta tejkaloj kufirin e asaj lirie”. Prandaj
veprimi në suaza të kësaj lirie, merr një tipar tjetër involutiv, të
domosdoshëm për kohën tonë të pjekurisë intelektuale, artistike dhe shpirtërore
të njerëzimit, respektivisht të zhvillimit të brendshëm shpirtëror, i cili
emiton spektrin si produkt i kreativitetit sakral.
No comments:
Post a Comment