Monday, January 28, 2013

Rrapi i Prizrenit"- Poezi nga Salajdin Krasniqi- recension- Fahredin Shehu




Rrapi i Prizrenit


Salajdin Krasniqi


Fahredin Shehu

24, nëntor 2012, Prizren

Janë dy vende në Kosovë ku nuk mund të shkruaj poezi: Prishtina se nuk ka asgjë që mund të të frymëzoj dhe të të ofroj një çast kreativ poetik dhe Prizreni, se është tepër poetik dhe druan se duke u përpjekur të frymëzohesh, e humb gjithë poetikën që e bart me vete ky qytet, ndër shekuj. Jam shumë subjektiv lidhur me Prizrenin, sepse nuk jam i prizrenit, por e kam një hise këtu. Dhe sa herë vi e shikoj ndryshe dhe kam frikë mos të më ik ndonjë gjë.

Për Selajdin Krasniqin situata natyrisht se ndryshon. Ai na rrëfen edhe atë që ne si vrojtues nuk jemi në gjendje ta perceptojmë.

Po më lejohet ta krahasoj Prizrenin me ndonjë qytet në botë, ideja e parë që më vie në kokë është Jerusalemi, me gjithë magjinë, historinë dhe sinqeritetin e manifestimit të qytetarisë, derisa Vushtrria dhe Rahoveci më duken si Hebroni, ku duhet të hulumtosh misterin e lashtësisë.
Dhe një krahasim tjetër është që sapo përmendet rrapi i prizrenit mua më kujtohet rrapi mbi 900 vjeçar në Uludag të Bursës në Turqi. Natyrisht e gjithë kjo e ka edhe një histori dhe këtë autori na e shfaq në një libër të ilustruar, dhe kisha thënë të rëndë, një Lament, një Matem i natës. Për një qytet ku u lind, ku u rrit dhe ku u poç si krijues, e  ku shfytyrohet çdo ditë e më shumë nga armiqtë e tij, qofshin ata okupator të huaj apo injorantët me mungesë totale të ndjeshmërisë dhe qytetarisë e që fatkeqësisht janë nga ne.

Përmes këtij libri më zbulohet një Prizren i begatë, begatia e të cilit pamëshirshëm shkartohet nga brejtësit të cilët identitetin e kuptojnë vetëm si substancë amorfe dhe me të drejtën absolute të tyre që ta modelojnë sipas kandarit të vet.

Jam shumë i sigurt se ata që pinë kafe buzë Bistricës dhe e shfletojnë librin do të përpiqen të gjejnë edhe mangësitë se gjoja këtë dhe atë nuk e paska thënë autori. Ua kisha falur po ta kishin bërë ata një libër së paku të ngjashëm me këtë. Fatkeqësisht jo. Çdo herë ai që e kullon politikën në kafe është më i mençur se burrë- shteti dhe çdoherë ai që as gishtin e vogël nuk e lëviz i gjen dobësitë atij që punon, Këtë e tha Nietzsche jo unë.

Po i kthehem vargut, i cili i tëri mund të rezymohet në Lament. Lament për vite të shkuara, Lament për njerëz, për objekte, për kujtesa, për harresa për të para dhe të papara, për të shkruara dhe të pashkruara etj.

Një varg i sinqertë, eksplodues, shprehje ekstreme e vajit dhe dashurisë, një kombinim delikat dhe filigranik emocionesh, plotë vërtetësi dhe mungesë mendjemadhësie.


Për atë që thash më lartë, poeti thotë:
“Të mençurit ndërtuan kroje, tiranët i shkatërruan, uji mbeti aty...” fq. 34.

Çdo gur kalldërmeje ruan kujtime, tempulli pagan, kisha, xhamia, teqe, secila rrugë e rrugicë, zejtarë, poetë, aktorë, e piktorë, ashik, priftë, hoxhë, e shejh, flamur,besëlidhje, kala qëndrese, kafe e çajtore, zeje e tregtarë, dogana e konsullatë, ujë e gjak, ura, shatërvani, krojet sahat- kulla, qepujkat e mbledhura nga pleq, gra e fëmijë, edhe qulli i përzier, edhe ahengjet dhe teferiqet që të gjithat madje të dukshme, gjysmë të dukshme dhe të padukshme, Ky është Prizreni i Poeti dhe jo vetëm i tij.

Ai thotë:

“Kalldrëmet e qepenat humbën pa ardhur frymëzimi
Të kaluarën tënde dua t’ia lë dhuratë brezit në vijim...”. fq. 45- kjo është sakrificë e poetit a nuk mjafton edhe kjo? Duke e pritur frymëzimin...

“Shekuj me radhë të pushtuan, të shtrinë për dhe
Derisa fjala e Zotit lindi fuqinë dhe zbriti mbi ne”- fq 48.

Në Stamboll e Isfahan bilbili i këndonte trëndafilit duke ia rrëfyer misterin, në Prizren dhe vetëm këtu, bilbili i këndon Zambakut dhe ehoja e Ashik Junusit të vargu

“Ti me mua para e pas meje, askënd s’e lëshon në ecje
Nw përjetësi o Salajdin kanë për të të sharë në heshtje”

Dhe te vargjet:

‘Tani nuk e lë ahengun e Marashit, as zogjtë e Bylbylderës
As erën e  dikurshme të simiteve dhe bukës së furrës...”- fq. 78

Aferin!!!!!

Nostalgji e Mallim.

Ju faleminderit që ma dhatë mundësinë që edhe un të shkruaj për Prizrenin.


No comments: