Xhubran Halil Xhubran
KRAHËT
E THYER
Titulli në origjinal:
الأجنحة المتكسّرة
Përktheu nga arabishtja:
MA Jahja Hondozi
Jo se vepra e Xhubranit është e panjohur në
tërësi për një pjesë të lexuesve, veçmas në radhët e atyre, të cilët vetë
shkruajnë, por kritika jonë, asnjëherë nuk ka dhënë një vështrim domethënës, për
këtë autor botëror, kundruall përkthimit të pakët, për një shpërndarje më masive
të veprës së tij. Kjo, ndoshta për shkak të paragjykimeve të shumta, por edhe
se veprat e tij kanë një ndjeshmëri më mistike, andaj nënkuptohet, meqë neve na
mungojnë njerëz me përgatitje të tillë.
Kujtojmë se, vepra e Xhubranit është e përkthyer
në Shqip: Nehat S. Hoxha Rilindja, “Jezusi, biri i njeriut”, Kuvendi françeskan
Gjakovë, në përkthim të P. Lorenci, “Profeti”, Toena, Tiranë, në përkthimin e M.
Rakipaj, gjë që mund të duket pak, krahasuar me rëndësinë, të cilën e ka opusi
i tij, si letrar ashtu edhe ai aplikativ, sepse vetëm Profeti është përkthyer në
mbi dyzet gjuhë botërore dhe konsiderohet libri i katërt në botë për kah përhapja
dhe lexueshmëria, ndërsa, ai si poet konsiderohet, pas Shekspirit dhe Lao
Tze-s, poeti i tretë më i lexuar i të gjitha kohërave, andaj konkludimi se asnjëherë
nuk është bë analiza e duhur e veprës së tij, është shumë i drejtë.
Dr. Suheil Bushrui nga Instituti për
hulumtimin e veprës së Xhubranit, pranë Universiteti Maryland në SHBA, ka përgatitur
një libër të jashtëzakonshëm në mbi 372 faqe lidhur me veprën e Xhubranit,
respektivisht biografinë e plotë të tij dhe libri titullohet “Kahlil Gibran, Man and Poet”[1].
Shpesh edhe emri i tij është shkruar si Khalil, Kahlil, dhe tek ne Halil dhe
dallimet mes Gibran dhe Xhubran, kurse emri i plote i tij është Xhubran Halil
Xhubran. Gjë që sugjerohet për ta kuptuar më mirë lëvizjen e tij nga lindja në
SHBA, përkrahjen që e gjen nga Znj. Marry Elizabeth Haskel, pastaj edhe përkrahja
nga një mike tjetër Barbara Young, e cila i kushton një libër të tërë
biografik, This Man from Lebanon[2] , jeta e tij dyvjeçare
në Paris në klasën e artistit të famshëm Auguste Rodin, ndikimet e filozofisë së
William Blake dhe Friedrich Nietzsche, në njërën anë dhe nga Ibn Sina, Ibn Rushd, Al Ghazali në anën
tjetër, e kompletoi tendencën e tij artistike dhe filozofike, e kështu me radhë.
Veprat e Xhubranit, të cilat
karakterizohen me begati leksiku, ndjeshmëri transcendentale dhe lirikë të
artikuluar në mënyrë të çiltër, gjë që kjo e fundit e popullarizoi shumë, (sepse
flet me gjuhën e popullit), janë mesazhe sa artistike- shpirtërore po aq edhe të
kësaj bote, deri te ato politike. Veprat e tij janë si vijon:
Nimfat e luginës, 1906, Shpirtrat rebelë, 1908,
Krahët e thyer, 1912, Lot dhe buzëqeshje, 1914, Procesione, 1919, Stuhitë,
1920, janë shkruar në gjuhën arabe, kurse: I marri, 1918, Paraardhësi,1920, Profeti, 1923, Rëra dhe shkuma, 1926, Mbretëria e imagjinatës,
1927, Jezusi,
biri i njeriut, 1928, Zotët e tokës, 1931, Endacaku, 1932) dhe Kopshti i profetit, 1933, janë veprat e
tij të shkruara në gjuhën Angleze.
Vepra Krahët e thyer është novelë autobiografike,
e cila flet për dashurinë e parë të autorit. Ajo është rrëfim romantik i një
djaloshi dhe një vajze, të cilët i lidh dashuria platonike, (larg nga
kënaqësitë fizike).
Heroi i romanit është një djalosh 18 vjeçar, i
cili rrëfen tregimin e dashurisë së tij, si një ndjenjë e shenjtë dhe e
papërsëritur, të cilën e përjetoi në lidhje me një vajzë, Selma Kerame. Kjo vajzë, ndërkaq, fejohet dhe martohet me
një person tjetër të pasur, duke iu nënshtruar kështu pa vullnetin e saj,
ligjeve dhe traditave të kohës. Autori flet në vetën e parë.
Vepra është edhe një tregim ku autori nëpërmjet
fatit të heroinës, akuzon shoqërinë
patriarkale, viktimë e së cilës ishte Selma Kerame.
Meqë një recension si ky nuk lejon që të
hyhet në detaje për të analizuar së paku një vepër të tij ashtu si e meriton
ajo, konsiderojmë se, përkthimi i M.A. Jahja Hondozit i veprës Krahët e
thyer, botuar më 1912, është më se
i mirëseardhur për lexuesin tonë, gjithmonë duke pas parasysh se neve në përgjithësi
na mungojnë përkthimet letrare dhe përkthimi i kësaj vepre duhet të paraqes
eveniment të rëndësishëm kulturor, posaçërisht në Kosovë. E mos të flasim për vështirësitë,
të cilat i has përkthyesi gjatë punës së tij andaj vetëm ai, i cili merret me
përkthime e veçmas me përkthimin e poezisë e kupton vështirësinë dhe “frikën e
të shkruarit”, siç thotë Jacques Derrida, respektivisht kapërcimi në një
territor të ri të pazbuluar.
Lexuesit tonë i ofrohet një libër i cili e
zbulon një botë krejt të re letrare, filozofike dhe shpirtërore.
Personalisht, sa herë kam lexuar një
rresht të Xhubranit, në gjuhën Kroate, Serbe Angleze, Shqipe etj., sikur
çdoherë më ka prekur gishti suptil i rrezes së ndritshme të shpirtit të
Xhubranit, dhe asnjëherë nuk më ka lënë indiferent dhe konkuldoj; “Secili që ka ndjeshmërinë e një fëmije,
assesi nuk mund e të mos i dridhet zemra, nga fjala e shkruar në këtë mënyrë
dhe e cila, guron nga kroi hyjnor”.
Ne, nuk mjafton vetëm ta falënderojmë
përkthyesin për punën e lodhshme, por duhet ta promovojmë në këtë mënyrë një
lloj të tillë të artit, i cili më (falë këtij përkthimi), nuk është larg nesh.
Fahredin Shehu
Tetor 2011, Prishtinë